Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave, i cili synon avancimin e të drejtave, sigurisë dhe pavarësisë ekonomike të grave dhe vajzave në vend.
Këshilli është themeluar në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me qëllim të bashkërendimit të përpjekjeve për fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Presidentja Shiroka Pula ka theksuar se fuqizimi i grave nuk lidhet vetëm me përfaqësimin apo barazinë formale, por përbën çështje të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe demokracisë.
“Fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje e përfaqësimit apo e barazisë formale, por çështje e drejtësisë, dinjitetit njerëzor, demokracisë dhe së ardhmes së vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ajo ka theksuar se garantimi i të drejtave, sigurisë dhe mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale e shoqërore.
Prioritetet kryesore të Këshillit do të jenë fuqizimi ekonomik dhe financiar i grave, si dhe adresimi i dhunës ndaj tyre.
Presidentja ka kërkuar zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës kundër grave, diskriminimit dhe mohimit të mundësive të barabarta.
“Reagim të koordinuar, mbrojtje dinjitoze për viktimat dhe llogaridhënie të plotë institucionale”, ka theksuar Shiroka Pula, duke nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët në luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Sipas njoftimit, Këshilli do të bashkojë ekspertizën e shoqërisë civile, profesionisteve të pavarura, akademisë, sektorit privat, komuniteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Platforma do të shërbejë për identifikimin e mangësive dhe propozimin e rekomandimeve konkrete, pa zëvendësuar përgjegjësitë e institucioneve ekzistuese.
Në fund, presidentja ka ftuar institucionet, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Ajo ka theksuar se fuqizimi i grave nuk është përgjegjësi vetëm e institucioneve, por e gjithë shoqërisë.