Debati i heqjes së vizave, që përfundimisht pritet të ndodh në janar të 2024-ës, u risoll në diskurs publik këtë javë, gjatë vizitës së Presidentit të Francës, Emanuel Macron, në Shqipëri. Në konferencë me kryeministrin Edi Rama, Macron përmendi çështjen e vizave derisa foli për mungesë përgjegjësie nga krerët e shtetit të Kosovës në dialog, njëjtë si ata të Serbisë. Mirëpo, kjo deklaratë e tij u tha se u keqkuptua pasi pati dallime në përkthim.
Kështu kanë deklaruar edhe nga Ambasada franceze në Prishtinë, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net.
Një zëdhënës i ambasadës, tha se theksi i deklaratës së Macron më tepër ka qenë te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke i kërkuar që të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë.
“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.
“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës.
I humbur në përkthim? Deklarata e Macronit për vizat për Kosovën shkaktoi bujë në tërë rajonin
Ndërkaq çështja e vizave, Kosovës thuhet se iu dha si një gjest mirëbesimi, por që Macron nuk ka parë të njëjtat gjeste edhe nga liderët kosovarë, në përpjekje për t’i zgjidhur problemet me Serbinë. Ky, sipas zëdhënësit të ambasadës franceze, ishte konteksti i deklaratës së Macronit.
“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke”.
Në fund thuhet se pritjet e presidentit francez nga autoritetet kosovare dhe atyre serbe, është që të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen në dialog.
Deklarata e plotë, me përkthim zyrtar në gjuhën shqipe, e ambasadës franceze në Prishtinë, dhënë ekskluzivisht për Gazetën Online Reporteri.net:
Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi.
Ne dëshirojmë që të ndriçohet në tërësi sulmi i 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë.
Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare.
Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.