Pas prishjes së koalicionit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë dhe anulimit të vendimit për këmbimin e tokave në Badovc, po vazhdojnë reagimet.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka demantuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama lidhur me sipërfaqen e tokës që ishte vendosur të këmbehet, pas që ai tha sot nuk janë dhënë 20 hektarë, për 8 hektarë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ajo po ashtu tha se ideja e këmbimit ka nisur me Ramën.
“Procesi ka nisë me Ramën arkitekt dhe bashkëinvestitor të ndërtimit të villave në Badoc- dhe kur kushtet e ndërtimit nuk janë dhënë për zonën te liqeni në vitin 2020 procesi ka vazhduar me idenë e këmbimit tutje dhe me Ramën kryetar është finalizuar – në përkrahje të heshtur nga LVV”, ka shkruar Hoxha.
Postimi i plotë:
Për ata që po shpërndajnë mjegull, prej Ramës e teposhtë…
Sipërfaqja totale e pronës komunale që është për këmbim mbi 20 Ha (se disa po e thonë që veç një pjesë e saj) pjesë e zonës urbane Prishtina e re afër Gjykatës zonë në ndërtim.
Sipërfaqja e pronës private e cila është jashtë zonës urbane dhe nuk parashihet për zhvillim mbi 8 Ha.
Copëzat nga dokumenti zyrtar ua sqarojnë.
E drejta për këmbim pronash garantohet me ligj, por gjithnjë dhe vetëm për interesin publik.
Bizneset kanë të drejtën e tyre legjitime të shprehin interes për zhvillim e për këmbime, por kjo nuk duhet të bëhet duke cënuar të mirën publike
Dhe këtu ata nuk kanë faj, sepse përgjegjësia parësore me ruejt, me kultivu e me rritë të mirën publike i takon Komunës dhe Qeverisë.
Procesi ka nisë me Ramën arkitekt dhe bashkëinvestitor të ndërtimit të villave në Badoc- dhe kur kushtet e ndërtimit nuk janë dhënë për zonën te liqeni në vitin 2020 procesi ka vazhduar me idenë e këmbimit tutje dhe me Ramën kryetar është finalizuar – në përkrahje të heshtur nga LVV.
Kujtojmë se sot në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, u shfuqiza vendimit për këmbimin e pronave në Badovc.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë Uran Ismaili njoftoi që pas shfuqizuan vendimin për këmbimin e pronave në Badoc, ka bërë edhe shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë.
Ismaili theksoi që i ka dërguar shkresë zyrtare Përparim Ramës për shkëputjen e koalicionit në mes të PDK dhe LDK në Prishtinë. Ai tregoji që të gjithë drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.
“Për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë.” tha Uran Ismaili.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ky vendim ka nisur nga një proces i cili ka filluar nga qeverisja e kaluar dhe një numër vendimesh të nivelit qendror, Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Rama thotë se Komuna e Prishtinës ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore në këtë çështje. Ai i ka akuzuar Vetëvendosjen e PDK-në për politizim të kësaj çështje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sot jemi këtu me një kërkesë tuajen me shfuqizu një vendim të miratuar nga ky Kuvend. Ky vendim ka rrjedh nga një proces i cili ka fillu nga qeverisja e kaluar, pra jo nga Përparim Rama. Për më tepër, ky proces ka rrjedh nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, pra Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Nga momenti që qeverisja jonë ka vazhdu këtë proces, janë ndjek të gjitha procedurat e parapara ligjore. Pra, për këtë çështje, janë dërgu pikat e rendit të ditës me kohë, përfshi këtë pikë për këmbim, nuk ka reagu askush; është diskutu në KPF, nuk ka reagu askush; është miratu në këtë Kuvend, nuk ka reagu askush.
Kanë kalu disa javë, asnjë fjalë nuk e ka thanë as Vetëvendosje as PDK, pra askush. Pas një shkrimi të pavërtetë dhe tendencioz, ju e politizuat dhe e personalizuat këtë çështje. Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë në Ministri të Pushtetit Lokal që kanë miratu ligjshmërinë, të njëjtit e tërheqin atë. Pa asnjë argument shtesë, pa asnjë fakt shtesë. Nuk janë një apo dy zyrtarë, por janë pesë zyrtarë të njëjtë që kanë nënshkru ligjshmërinë e këtij vendimi, përfshirë ministrin e MAPL dhe më pas që të pestit e tërheqin ligjshmërinë e tij, përfshirë edhe ministrin”, tha Rama ndër të tjera.
Rama ka thënë se Ministria e Financave pa asnjë fakt nga Prokuroria apo Policia ka suspenduar vendimin.
“Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat po suspendojmë vlerësimin e pronave. Do të thotë, as fakte nga prokuroria, as nga policia, as ndonjë dëshmi tjetër të kërkuar nga Komuna, por thotë pas raportimeve nga mediat. Do të thotë një proces të cilin Ministria është e obliguar me ligj ta zbatojë, sikur i ka zbatuar me qindra vendime deri sot, thotë po e suspendoj, në bazë të spekulimeve në media. Njëkohësisht, me këtë, vepron në kundërshtim edhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023”, tha Rama.
Ai kërkoi nga Prokuroria Speciale që për këtë proces të hetohen edhe Ministria e Pushtetit Lokal dhe ajo e Financave.
“Keni kërku hetim nga prokuroria. Unë i kam thënë PO, janë të mirëseardhur, jo vetëm në institucion të Kryeqytetit, por të ZGJEROHET edhe në Ministri të Pushtetit Lokal edhe në Ministri të Financave. Unë edhe kam kërku publikisht zgjerim të hetimeve në të gjitha nivelet. Prandaj, edhe sot, nga kjo foltore, e ftoj Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, të zgjerojë hetimet edhe në MAPl dhe në Ministri të Financave dhe t’i shkoj deri në fund këtij procesi.
Edhe njëherë po deklarojmë si qeverisje, se ne kemi vepru në çdo moment të këtij procesi në përputhje me ligjin dhe manualin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për këmbim të pronave. Ju lutem, ju e dini saktë çka thotë Manuali për këmbim të pronave.
Prandaj, sot vendim marrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i Kryeqytetit, ashtu siç me obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuaja”, tha Rama.
Rama përsëriti edhe një herë se nuk janë dhënë 20 hektarë, për 8 hektarë. Ai tha se, sa tokë do të këmbehet e përcakton Ministria e Financave.
“Është raportu se: Kryeqyteti i ka dhanë 20 hektarë për 8 hektarë. Nuk është e vërtetë. Vendimi i Asamblesë së Kryeqytetit e thotë qartë se prona 8 hektarëshë këmbehet me pjesë të parcelës 20 hektarëshe, e përsëris me pjesë të parcelës , jo me krejt parcelën. Sa tokë do të këmbehet, 10 ari, 50 ari, 2 hektarë apo 5 hektarë, nuk e përcakton kryeqyteti e as Përparim Rama, por e përcakton Ministria e Financave.
Është thënë se Përparim Rama dhe qeverisja aktuale e kanë nisë këtë proces. Prapë e pavërtetë. Si rezultat i vlerësimit nga Ministria e Financave në maj të vitit 2022 palës ju ka këmby vetëm një pjesë e parcelës dhe i ka mbetë edhe një pjesë tjetër me u këmby. Rrjedhimisht, pala ka bë kërkesë për vazhdim të procedurës, po e përsëris, vazhdim të procedurës, jo fillim të procedurës. Madje, pala ka akuzu Kryeqytetin për neglizhencë në vazhdim të këtij procesi. Ju lutem ta shihni procesverbalin zyrtar.
Janë ngrit pyetje se çfarë interesi ka Kryeqyteti me marrë një tokë te LIQENI, cili është interesi publik i Kryeqytetit me marrë atë tokë?
Përparim Rama, nuk ka deklaru atë tokë me interes publik, por Ministria e Mjedsit me një vendim të vitit 2020 i cili përcakton tokat rreth Liqenit të mbrojtura, dhe obligon, pra, po e përsëris obligon organet komunale me bo Këmbimin. Kuvendi Komunal në vitin 2021 ka konfirmu vendimin e Ministrisë së Mjedisit rreth interesit publik të asaj toke. JO UNË”, tha Rama. /Reporteri.net/