×
  • Lajme
  • Botë

    Sulm masiv në Teksas, 5 të vdekur e 21 të plagosur

    Reporteri
    01 Shtator 2019 | 8:26

    Pesë persona janë vrarë dhe 21 të tjerë janë plagosur në një sulm të armatosur në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


    Sulmuesi i armatosur, i cili filloi të qëllonte me armë pasi vetura e tij u ndalua nga policia të shtunën pasdite, u vra nga forcat e sigurisë pasi kishte hyrë në parkingun e një kompleksi të lokaleve zbavitëse.

    Nuk janë dhënë hollësi për viktimat deri të dielën në mëngjes, por raportohet se në mesin e personave të vrarë është edhe një djalosh 17-muajsh, i cili ishte qëlluar në fytyrë dhe kishte vdekur më vonë në spital. Lajmin e bënë të ditur zyrtarët e spitalit në Odessa të Teksasit.

    Ky është sulmi i dytë masiv në Teksas vetëm gjatë gushtit. Më 3 gusht, një sulmues i vrau 22 persona dhe i plagosi 24 të tjerë në El Paso.

    Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha: “Zonja e parë dhe unë jemi zemërthyer pas këtij sulmi të pakuptimtë dhe frikacak dhe ua ofrojmë përkrahjen tonë viktimave, familjeve të tyre dhe tërë banorëve të Midland-it dhe Odessa-s”.

    Autoritetet njoftuan se incidenti filloi rreth orës 3 e 17 minuta të pasdites së të shtunës sipas kohës lokale, kur një polic e ndaloi një veturë të tipit Honda me ngjyrë ari pasi nuk kishte dhënë shenjë për kthim majtas.

    Personi i dyshuar filloi të qëllonte në veturën e policisë dhe më pas e kishte vjedhur një kamion të postës, duke e vazhduar sulmin me armë. Policia e përshkroi sulmuesin si burrë i bardhë në të tridhjetat, shkruan “The Guardian”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!