×
  • Sport
  • EURO 2024

    “Stuhia e kuqe” shkatërron ëndrrën e Francës për finale

    Reporteri
    09 Korrik 2024 | 22:53

    Spanja ka mposhtur Francën me rezultat 2 me 1 për të siguruar vendin në finalen e Evropianit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Stuhia e kuqe” i ka dhënë fund kështu ëndrrës së Kylian Mbappes që si kapiten i priu Francës, për të arritur finalen e Evropianit.

    Kjo është hera e pestë që Spanja shkon në finale të Evropianëve, teksa e ka fituar tri herë. Për herë të fundit fitoi në vitet 2008 dhe 2012.

    Franca kishte mundësi që të shkonte për herë të katërt, por në gjysmëfinale u ndal nga Lamine Yamal që sonte shkëlqeu bashkë me Dani Olmon, i cili tani bëhet golashënuesi më i mirë i Evropianit.

    Pjesa e dytë i takoi Francës që gjatë tërë kohës ka bërë përpjekje për barazimin e rezultatit, ndërsa pjesa e parë i takoi plotësisht Spanjës.

    “Trekolorët” e nisën më mirë takimin kur realizuan që në minutën e nëntë me golin e Randal Kolo Muani. Sulmuesi i PSG-së realizoi me kokë pas harkimit nga Kylian Mbappe.

    Mirëpo gëzimi i francezëve ka zgjatur deri në minutën e 21 kur Lamine Yamal realizoi një nga golat më të bukur të këtij kampionati.

    Me një goditje me këmbën e majtë, Yamal hyri në histori si golashënuesi më i ri në moshë kur mposhti portierin francez Mike Maignan.

    Por “Stuhia e kuqe” përmbyti rezultatin vetëm katër minuta më vonë. Mesfushori Dani Olmo që po shkëlqen në këtë kampionat, gjuajti nga zona e rreptësisë, ndërkaq këtë goditje e devijoi në portë mbrojtësi francez Julies Kounde.

    Ndërkaq, Franca hyri në këtë takim me më shumë se 500 minuta pa realizuar gol nga loja e hapur. Kylian Mbappe ka realizuar vetëm një gol dhe atë nga penalltia ndaj Polonisë në fazën grupore.

    Spanja në finalen që zhvillohet më 14 korrik e pret fituesen e duelit mes Anglisë dhe Holandës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!