×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Vetëvendosja s’e përkrah Projektligjin për Buxhetin

    Reporteri
    10 Korrik 2020 | 18:40

    Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta përkrah Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.


    Këtë e ka bërë të ditur Hekuran Murati kur ka folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Në mars të këtij viti kur u miratua Ligji i Buxhetit është evidente që ka pasë disa mangësi, sepse kemi pasë kufizime kohore. Në atë kohë u shpallën rastet e para të infektuara në Kosovë, si dhe e kishim një buxhet që në shumicën e projekteve dhe kodeve ishte i bllokuar paraprakisht nga Qeveria e PAN-it. Ideja ka qenë që me gjithë ato mangësi të kalohet, sepse ishte situatë emergjente dhe në rishikim të rregullohen ato mangësi. Shohim se defektet janë shumë më të numërta në këtë rishikim, ka kundërshtime me ligjet në fuqi, si dhe struktura që është përdorur është praktikë e gabuar”.

    “Kësisoj si është për neve është i papranueshëm, sepse konsiderojmë që Kuvendi nuk duhet të nënshkruajë check-blanco. Qeveria sa herë që kërkon miratim të buxhetit në këtë Kuvend duhet të tregojë me saktësi dhe përgjegjësi për çdo cent se ku do të shpenzohet. Ne si Grup Parlamentar nuk e mbështesim këtë projektligj”.

    Ai ka thënë se pozita po mundohet që ta kushtëzojë opozitën që të votojë të gjitha nismat duke i arsyetuar me pagesat për qytetarët nga Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike.

    “Është për keqardhje që mungesa e votave të qeverisë ilegale dhe jolegjitime të mundohet dhe të hidhet si barrë mbi shpinën e opozitës për t’ia siguruar këto vota. Është për keqardhje thirrja dhe përdorimi i pretekstit dhe temës pagesave për qytetarë që të kushtëzohet edhe opozita që të votojë për çfarëdo nisme të Qeverisë”.

    “Të gjithëve na kujtohet që kemi qenë në këtë Kuvend në seancat e kaluara plenare kur është trajtuar çështja e deficitit. Nga kjo qeveri është kërkuar lejimi i rritjes së kufirit të deficitit dhe na thuhej se krejt çka duhej është të votohej kjo në mënyrë që të mund të bëhen pagesat prej 170 euro për qytetarët. Kuvendi, me gjithë kundërshtimin tonë, e miratoi lejimin e tejkalimit të deficitit dhe pagesat nuk ndodhën. Kërkohej vota, bëhej thirrje dhe manipulohej me qytetarët se vetëm nëse e votojmë atë kërkesë bëhen pagesat. Edhe tash po thuhet që edhe ky projektligj edhe marrëveshjet ndërkombëtare po lidhen me pagesat për qytetarët. Disa po kalojnë e disa jo, por qytetarët nuk po i shohin pagesat”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!