×
  • Extra
  • Extra

    A ka vaksinë për të gjithë?

    Reporteri
    18 Shtator 2020 | 8:45

    “Nëse keni një vaksinë që është shumë efektive, por nuk vaksinohen mjaftueshëm njerëzit, nuk do ta kuptoni efektin e plotë e të rëndësishëm të dhënies së këtyre vaksinave”


    Nëse mjaftueshëm amerikanët nuk e marrin vaksinën kundër Covid-19, kur ajo të jetë në dispozicion, nuk do të ndihmojë që ta ulë përhapjen e virusit vdekjeprurës, ka thënë Zyra kryesore e vendit për sëmundjet infektive.

    Në një intervistë për gazetën “The Wall Street Journal”, dr. Anthony Fauci ka theksuar rrezikun që vjen nëse pak njerëz e marrin vaksinën.

    Rëndësia e dyanshme

    Madje edhe nëse një e treta e amerikanëve vaksinohet kundër koronavirusit, kjo nuk mjafton, ka thënë drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.

    “Është kombinim i mënyrës se sa e efektshme është vaksina dhe se sa njerëz e marrin atë”, ka thënë Fauci. “Nëse keni një vaksinë që është shumë efektive, por nuk po vaksinohen mjaftueshëm njerëzit, nuk do ta kuptoni efektin e plotë e të rëndësishëm të dhënies së këtyre vaksinave.

    Sa më pak mbrojtëse që të jetë një vaksinë, aq më shumë njerëz kanë nevojë për të, që të sigurojnë imunitet për të gjithë popullsinë, ka thënë Fauci.

    Qëllimi themelor është të arrihet një nivel aq i ulët i infektimit, saqë kur ka shpërthime të vogla, të jenë të lehta për t’u kontrolluar, ka thënë ai.

    Një anketë e kryer së fundmi nga organizata “Kaiser Family Foundation”, ka treguar se 54 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk do ta merrnin vaksinën edhe po të ishte në dispozicion para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit – një afat kohor i sugjeruar nga presidenti Trump, por zyrtarët shëndetësorë thonë se kjo nuk është e mundur.

    Ngurrimi për t’u vaksinuar

    Ngurrimi i shumë njerëzve për ta marrë vaksinën kundër Covid-19, kur ajo të jetë në dispozicion, është një problem me të cilin duhet të merremi urgjentisht, ka thënë dr. Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit.

    “Ata që ngurrojnë ta marrin vaksinën iu është krijuar ky ngurrim nga një mori ngjarjesh që janë duke ndodhur tani, veçanërisht përzierja e fatkeqe e shkencës dhe politikës”, ka thënë Collins në një ngjarje të organizuar nga Akademia Kombëtare e Shkencës, Inxhinierisë dhe Mjekësisë.

    “Nuk dua që ne, pas një viti, të jemi duke biseduar rreth asaj se si e kemi në duar zgjidhjen për pandeminë më të keqe të më shumë se 100 vjetëve, por nuk kemi qenë të aftë që në fakt t’i bindim njerëzit që ta marrin”, ka thënë Collins.

    Fauci ka thënë se ai ende mendon se deri në muajt e fundit të këtij viti nuk do të dëshmohet se një vaksinë është e sigurt dhe efektive. “Prapëseprapë do të vija bast për nëntor ose dhjetor”, ka thënë Fauci gjatë një paneli të institutit “Congressional Hispanic Caucus” rreth pandemisë globale.

    Vendet e pasura kanë kapur shumicën e furnizimeve me vaksinë

    Shtetet e pasura, si SHBA-ja, Britania dhe Japonia, kanë blerë më shumë se gjysmën e furnizimeve të pritura të vaksinës së koronavirusit, ka thënë të mërkurën organizata jopërfituese ndërkombëtare kundër varfërisë “Oxfam”.

    Këto vende përfaqësojnë 13 për qind të popullsisë botërore, por i kanë blerë furnizimet e ardhshme të 51 për qind të vaksinave ndaj koronavirusit, ka thënë “Oxfam”.

    Grupi ka përdorur të dhënat e mbledhura nga firma analitike “Airfinity” për t’i analizuar marrëveshjet e publikuara mes qeverisë dhe vaksinëbërësve. “Oxfam” ka llogaritur pesë organizata – AstraZenecan, Gamaleyan e Rusisë, Modernan, Pfizerin dhe Sinovacin e Kinës – i ka kombinuar kapacitetet prodhuese për të bërë 5.94 milionë doza. Kjo mjafton për t’i mbuluar 2.97 milionë njerëz – më pak sesa gjysma e popullsisë botërore, nëse ndodh që dikush ka nevojë për dy doza, siç duket se ka të ngjarë.

    “Marrëveshjet e furnizimeve tashmë kanë qenë arritur për 5.303 miliardë doza, prej të cilave 2.728 miliardë (51%) janë blerë nga vendet e zhvilluara, përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hong-Kongun dhe Macaun, Japoninë, Zvicrën dhe Izraelin, gjithashtu edhe nga Bashkimi Evropian”, ka thënë “Oxfam” në një qëndrim.

    Pjesa tjetër është blerë apo iu është premtuar vendeve të zhvilluara, si: India, Bangladeshi, Kina, Brazili, Indonezia dhe Meksika, ka shtuar ai.

    “Qasja në një vaksinë jetike nuk duhet të varet nga vendi se ku jeton apo se sa para keni”, ka thënë Robert Silverman nga “Oxfam”. “Zhvillimi dhe pranimi i një vaksine të sigurt dhe efektive është qenësor, por barabar me të e rëndësishme është edhe të sigurohemi se vaksinat janë të qasshme dhe të përballueshme për të gjithë. Covid-19 kudo është Covid-19 gjithkund”.

    “Oxfam” theksoi se AstraZeneca është zotuar që dy të tretat e dozave që i prodhon të shkojnë për vendet e zhvilluara.

    Shtatë vdekje nga koronavirusi në një dasmë të vetme

    Një dasmë në Maine është e lidhur me 176 raste me Covid-19 dhe me vdekjen e shtatë njerëzve të cilët nuk kanë qenë në dasmë, duke nënvizuar se sa lehtë e shpejt mund të përhapet koronavirusi në tubimet shoqërore, thonë ekspertët e shëndetit publik.

    Për muaj me radhë mjekët kanë theksuar rëndësinë e bartjes së maskave, distancës sociale dhe të shmangies së tubimeve të mëdha.

    Por shpërthimet kanë dalë nga ngjarjet, si festa shtetërore Memorial Day, festimet e 4 korrikut dhe garës masive të motoçikletave në Sturgis, Dakota Jugore.

    Dasma në Millinocket më 7 gusht ka pasur rreth 65 mysafirë, shkelje ligjore e rregullit që ngjarjet brenda duhet të jenë deri në 50 persona, ka thënë Qendra për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve të Maines.

    Ngjarja është e lidhur me shpërthimet që kanë ndodhur në një shtëpi shëndeti dhe në një burg, të dyja më shumë se 100 milje larg nga vendi ku është mbajtur dasma, në mesin e njerëzve të cilët kanë pasur dy apo tri herë kontakt me një pjesëmarrës.

    Banorët në “Maplecrest Rehabilitation and Living Center” janë llogaritur për 39 raste të lidhura me dasmën dhe deri më tani edhe me gjashtë nga shtatë vdekjet, ka thënë udhëheqësi i CDC Maine, dr. Nirav D. Shah.

    “Tubimet i pëlqejnë virusit”, ka shtuar Shah. “Nuk bën dallim mes ngjarjeve të gëzueshme si dasmat, apo atyre plot pikëllim, siç janë funeralet”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!