Një studim i ri tregon se njerëzit që përjetojnë dhimbje shumë të fortë e të zgjatur pas humbjes së një të afërmi, kanë shumë më tepër gjasa të vdesin brenda dhjetë viteve pas humbjes.

Hidhërimi është një reagim normal pas vdekjes së një njeriu të dashur, por për disa njerëz mund të shkaktojë probleme serioze fizike dhe mendore, në afat të shkurtër dhe afatgjatë.

Një ekip studiuesish në Danimarkë ndoqi për 10 vite mbi 1,700 persona që kishin humbur një bashkëshort, prind apo të afërm të ngushtë. Ata që përjetuan dhimbjen më të madhe dhe më të zgjatur kishin një rrezik vdekjeje 88% më të lartë krahasuar me ata që kishin simptoma më të lehta hidhërimi.

Reklamë

Këta persona kishin më shumë gjasa të ishin në terapi ose të merrnin ilaçe kundër depresionit edhe tre vjet pas humbjes. Edhe pse pas shtatë vitesh këto diferenca filluan të zbehen, efektet e dhimbjes së thellë kishin lënë gjurmë të rënda në shëndetin e tyre.

Arsyeja pse kjo ndodh nuk është ende plotësisht e qartë, por autorët e studimit theksojnë se personat që ndihen më të prekur nga hidhërimi shpesh kanë pasur më parë probleme të shëndetit mendor ose një nivel më të ulët arsimimi, gjë që mund të ndikojë në mënyrën se si përballen me humbjen.

Një nga rreziqet është sindroma e zemrës së thyer (takotsubo), një gjendje e shkaktuar nga stresi emocional që mund të çojë në dështim të përkohshëm të zemrës. Gratë preken më shpesh nga kjo sindromë, por burrat kanë më shumë gjasa të vdesin prej saj.

Studime të tjera kanë treguar se burrat që humbin bashkëshorten kanë rrezik më të madh për sëmundje të zemrës, vetëvrasje dhe probleme me frymëmarrjen apo tretjen.

Këto gjetje mund të ndihmojnë mjekët të identifikojnë pacientët që mund të jenë në rrezik të lartë pas humbjes së një të afërmi dhe t’u ofrojnë mbështetje psikologjike më të përshtatur.

Reklamë