Autoritetet britanike të sigurisë ushqimore kanë ngritur alarmin për çokollatën e Dubait, duke paralajmëruar se disa prej tyre mund të jenë të rrezikshme për personat me alergji.
Agjencia për Standardet Ushqimore (FSA) ka njoftuar se ka identifikuar disa produkte në tregun e Mbretërisë së Bashkuar që nuk i përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë dhe etiketimit. Sipas FSA-së, disa prej këtyre çokollatave përmbajnë kikirikë dhe susam që nuk janë të deklaruara në etiketë.
Drejtoresha e politikave në FSA, Rebecca Sudworth, tha se kjo situatë paraqet rrezik serioz për konsumatorët me alergji dhe u bëri thirrje atyre që t’i shmangin këto produkte deri në përfundimin e verifikimeve.
“Personat me alergji nuk duhet të konsumojnë çokollata të stilit ‘Dubai’. Edhe blerja e tyre si dhuratë për persona me alergji duhet të shmanget”, theksoi ajo.
Autoritetet po shqyrtojnë mostrat e produkteve në shitje, ndërsa theksohet se personat pa alergji mund t’i konsumojnë këto produkte vetëm kur ato vijnë nga marka dhe shitës të besueshëm.
Edhe Instituti i Standardeve të Tregtisë ka paralajmëruar se mosrespektimi i rregullave të etiketimit të alergjenëve është i paligjshëm dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.