×
  • Extra
  • Extra

    Coronavirusi rrit rrezikun për lindje të parakohshme

    Reporteri
    19 Shtator 2020 | 16:48

    Gratë shtatzëna të infektuara me koronavirus dhe të shtruara në spital janë në rrezik që të zhvillojnë ndërlikime serioze dhe mund të përballen me rrezik të lartë për të lindur para kohe, sipas studimeve të reja nga Qendra e Parandalimit dhe Kontrollimit të Sëmundjeve.


    Ato gjithashtu mund të jenë më shumë të rrezikuara që të abortojnë.

    Gjetjet problematike qëndrojnë me disa raporte të tjera më të hershme që gratë shtatzëna mund të jenë në një rrezik më të lartë nga disa sëmundje kur ato infektohen me koronavirusin e ri. Por disa ekspertë kanë paralajmëruar që gjetjet, të marra nga një numër relativisht i vogël i pacienteve, përfshirë ato që janë të shtruar në spital për shkak të Covid-19, mund të mos i përfaqësojnë të gjitha gratë shtatzëna që janë të infektuara, transmeton KOHA.

    Studimet gjetën se shumë shtatzëna të shtruara në spital, të cilat ishin të infektuara me virus, nuk kishin pasur fare simptoma. Në mesin e atyre të cilat kanë simptoma, sidoqoftë, mes 16 për qind dhe 30 për qind, kanë kërkuar kujdes intensiv, dhe 6 për qind deri 8.5 për qind kanë kërkuar ventilatorë për t’iu ndihmuar për të marrë frymë. Në mesin e 703 rasteve të përshkruara në dy raportet tri gra kanë vdekur.

    Të dy studimet kanë gjetur se gratë shtatzëna të infektuara me koronavirus kanë pasur lindje të parakohshme më shumë sesa që është pritur dhe disa edhe kanë abortuar. Studimet e mëhershme gjithashtu kanë paraqitur rrezik më të lartë për lindje të parakohshme dhe një studim britanik ka theksuar një rritje të lartë në popullsi të aborteve gjatë pandemisë.

    Rreziku nga sëmundjet e tjera

    Shtatzënia mund t’i bëjë gratë më të ndjeshme ndaj infeksioneve dhe disa sëmundjeve të tjera për arsye të ndryshme. Sistemi imunitar është i shtypur gjatë shtatzënisë, një reagim i krijuar për ta parandaluar reagimet e kundërta ndaj fetusit, por edhe që e rrit ndjeshmërinë e nënës për të marrë infeksione virale.

    Ndryshimet e tjera psikologjike gjatë shtatzënisë gjithashtu mund ta rrisin ndjeshmërinë e grave. Mushkëritë mund të ndikohen nga mitra e zgjeruar dhe sistemi kardiovaskular mund të punojë më shumë. Covid-19 mundet gjithashtu ta rrisë rrezikun për mpiksje të gjakut, dhe pak është i njohur rreth ndikimeve në shtratin e fëmijës, që e ushqen fetusin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!