Covid-19: Rriten shpresat për miratimin e vaksinës në fund të këtij viti

Eksperti amerikan Dr. Anthony Fauci – mjek dhe imunolog që ka shërbyer si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive që nga viti 1984 – thotë se do të kuptohet në fillim të dhjetorit nëse vaksina do të miratohet.


Shpresat janë në rritje që një vaksinë e coronavirusit të miratohet deri në fund të vitit, ndërkohë që punonjësit e kujdesit shëndetësor do të jenë ata që do të vaksinohen të parët. Dr. Anthony Fauci tha se do të dihet në fund të nëntorit ose fillimit të dhjetorit nëse një vaksinë do të jetë e sigurt dhe efektive.

Ai theksoi se “sasia e dozave që mund të jenë në dispozicion në dhjetor nuk do të jenë të mjaftueshme për t’u vaksinuar të gjithë”. Punonjësve të shëndetësisë ka të ngjarë t’u jepet përparësi në vaksinim, si dhe njerëzve, shëndeti i të cilëve është në rrezik.

“Kjo mund të fillojë nga fundi i këtij viti, fillimi i janarit, shkurt, marsit të vitit të ardhshëm. Kur flasim për vaksinimin e një pjese të konsiderueshme të popullsisë, në mënyrë që të mund të kemi një ndikim të rëndësishëm në dinamikën e shpërthimit, ka shumë të ngjarë që ky lloj vaksinimi të mos ndodhë në tremujorin e dytë ose të tretë,” shtoi Fauci.

Një vaksinë që po zhvillohet midis shkencëtarëve dhe mjekëve në Universitetin e Oksfordit dhe kompanisë së ilaçeve AztraZeneca, e cila është në provat e fazës së tretë, mendohet se do të jetë vaksina e parë që do të miratohet.