Nëse keni telefonuar ndonjëherë një të ri nga Gjenerata Z dhe në vend të një “Alo” jeni përballur me heshtje, nuk jeni të vetmit. Kjo sjellje po bëhet gjithnjë e më e zakonshme dhe ka ndezur debate të gjera mes brezave në rrjetet sociale.
Të lindur mes viteve 1997 dhe 2012, pjesëtarët e Gjeneratës Z po shfaqin një qasje krejt tjetër ndaj telefonatave. Shumë prej tyre nuk e nisin bisedën me një përshëndetje të zakonshme; ata thjesht presin që tjetri – ai që ka bërë telefonatën – të flasë i pari. Ndërsa për brezat më të vjetër kjo mund të duket si mungesë edukate apo sjellje e ftohtë, për “zoomerët” është një mënyrë për të mbrojtur veten nga mashtrime të mundshme dhe nga teknologjitë që mund të abuzojnë me zërin e tyre.
Në platformën “X” (ish-Twitter), një përdorues u bë viral pasi vuri në dukje këtë ndryshim në mënyrën e të komunikuarit. Reagimet që pasuan hapën një debat më të gjerë mbi mënyrën se si po ndryshon kultura e bisedave telefonike.
Eksperti i sigurisë kibernetike Marijus Briedis nga NordVPN e mbështet këtë sjellje, duke theksuar se është më e sigurt të ruash një ton neutral – madje emocionalisht “të zbehur”. Ai paralajmëron se regjistrimi i zërit dhe përdorimi i tij nga mashtrues, përfshirë edhe përmes inteligjencës artificiale, po bëhet gjithnjë e më shqetësues.
Nga ana tjetër, përfaqësues të brezave më të mëdhenj e kritikojnë këtë sjellje, duke e konsideruar të ftohtë dhe të pasjellshme.
Ndërkohë, duket se “alo”-ja klasike është në zhdukje e sipër, ndërsa një brez i tërë zgjedh të përshëndesë me… heshtje.