×
  • Extra
  • Extra

    Helikopteri i NASA-s kryen fluturimin e parë në Mars

    Reporteri
    19 Prill 2021 | 20:16

    Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, njoftoi se helikopteri i saj robot Ingenuity kreu të hënën një ngritje dhe ulje të suksesshme në planetin Mars, duke realizuar fluturimin e parë të kontrolluar mbi sipërfaqen e një planeti tjetër.


    NASA tha se fluturimi me sukses i mini-helikopterit me dy helika mund të hapë rrugën për mënyra të reja kërkimi në planetin Mars dhe destinacione të tjera të sistemit diellor, si Afërdita dhe hëna e Saturnit, Titan.

    Drejtuesit e misionit në Laboratorin Jet Propulsionit të NASA-s pranë Los Anxhelosit shpërthyen në duartrokitje dhe brohoritje kur të dhënat inxhinerike që erdhën nga Marsi konfirmuan se helikopteri prej më pak se 2 kilogramësh që punon me energji diellore kishte kryer sipas planit fluturimin e parë prej 40 sekondash.

    Helikopteri robot është i programuar të ngjitet 3 metra vertikalisht, pastaj të qëndrojë pezull dhe të rrotullohet në vend mbi sipërfaqen e Marsit për gjysmë minute para se të ulet përsëri mbi katër këmbët e tij.

    Megjithëse kohëzgjatja ishte e shkurtër, kjo shënoi një arritje historike në aviacionin ndërplanetar, sepse fluturimi u realizua në një “fushë ajrore” 278 milion kilometra larg Tokës në dyshemenë e një pellgu të gjerë marsian të quajtur Krateri Jezero.

    NASA e krahasoi arritjen me fluturimin e parë të vëllezërve Wright në dhjetor të vitit 1903. Fluturimi i tyre në Karolinën e Veriut me avion me motor zgjati vetëm 12 sekonda dhe distanca e përshkuar ishte 37 metra.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!