Një letër e shkruar nga Kolonel Archibald Gracie, pasagjer i klasit të parë në Titanik, është shitur për 400,000 dollarë në një ankand në Mbretërinë e Bashkuar – pesëfish më shumë sesa parashikohej. Letra, e datës 10 prill 1912, u shkrua në kabinën e tij (C51) dhe u postua nga Queenstown, Irlandë, një ditë më pas. Në të, Gracie parashikon se do të “presë fundin e udhëtimit” përpara se të japë një vlerësim për “anijen e mirë”.
Kolonel Gracie mbijetoi nga fundosja tragjike e Titanikut më 15 prill 1912, duke u ngjitur në një varkë shpëtimi të përmbysur në ujërat e akullta. Megjithatë, pasojat fizike të katastrofës ndihmuan në përkeqësimin e shëndetit të tij; ai vdiq më 4 dhjetor 1912. Ai është gjithashtu autor i një prej rrëfimeve më të famshme të tragjedisë, në librin “E Vërteta rreth Titanikut”.
Sipas shtëpisë së ankandeve Henry Aldridge and Son, kjo letër është tashmë korrespondenca më e shtrenjtë e njohur që i përket anijes së famshme.
