Mattel ka hedhur në treg kukullën e parë Barbie me diabet të tipit 1 (T1D), si pjesë e fushatës së saj për përfaqësim gjithëpërfshirës. Krahas këtij modeli, është prezantuar edhe një kukull unike e modeluar sipas ngjashmërisë së modeles britanike Lila Moss, e cila vetë jeton me këtë sëmundje.
Kukulla vjen e pajisur me aksesorë që pasqyrojnë realitetin e trajtimit të përditshëm të diabetit: flaster insuline, monitor të vazhdueshëm të glukozës dhe pompë insuline. Qëllimi i Mattel është të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje kronike dhe të ndihmojë të rinjtë që jetojnë me diabet të ndihen më të përfaqësuar dhe të sigurt.
Lila Moss, vajza e supermodeles Kate Moss, mori pjesë në një set fotografik në Londër me kukullën e modeluar sipas saj, ndërsa në krah mbante të dukshëm flasterin e insulinës.
“Është shumë e rëndësishme t’i përqafosh këto njolla, t’i kesh dhe të mos i fshehësh ose të mos jesh i pasigurt për to,” u shpreh modelja.
Kukulla e personalizuar “Lila Moss” është veshur me një kostum krejtësisht të zi, çizme dhe çantë dore.
Ky lançim është pjesë e vazhdimit të përpjekjeve të Mattel për përfaqësim real dhe gjithëpërfshirës tek fëmijët. Më parë, kompania ka prezantuar edhe kukulla Barbie të verbra, me sindromën Down, me aparate dëgjimi apo proteza.