Mjekët ia nxjerrin 4 bleta brenda syve një 20-vjeçareje

Katër bletë janë gjetur brenda syve të një të reje në Tajvan. “Ky mund të jetë rasti i parë në botë”, mësohet se kanë thënë doktorët e spitalit Universitar Fooyin.


Pacientja e quajtur Ms He, 20 vjeçe, ishte duke shkulur barërat e këqija në varrin e një të afërmi në momentin kur bletët i hynë në sy. Ajo shkoi në Spitalin Universitar Fooyin në qarkun jugor të Pingtungut të Tajvanit, ku mjekët gjetën bletët nën qepallat e saj të fryrë, shkruan “Daily Mail”.

Dr Hung Chi-ting, okulisti i spitalit thotë se, “bletët mund të kenë pasur fole pranë varrezave aty ku ishte dhe e reja”.

He, e cila është nga qyteti jug-perëndimor i Kaohsiungut, ka treguar se ajo ishte në varreza së bashku me një të afërm në momentin që bletët e sulmuan.

“Ne po vizitonim dhe rregullonim varrezën e një të afërmi, dhe unë isha duke hequr barërat e këqija. Nisi të frynte shumë erë dhe unë më vonë ndjeva të më hynte diçka në sy. Në fillim mendova se ishte pluhur dhe nisa ti pastroja sytë me ujë, por më pas kisha dhimbje të forta dhe shkova në spital”, tha He.

Doktori ka thënë se në fillim ka dalluar vetëm këmbët e tyre dhe më pas me anë të një mikroskopi ka dalluar bletët dhe më pas i ka hequr.