Policia e Koresë së Jugut tha se do të kërkonte urdhërarrest për një grua që i vuri flakën ndërtesës së apartamentit të saj ndërsa përpiqej të vriste një buburrec me një flakëhedhës të improvizuar, raportojnë mediat lokale.

Një nga fqinjët e gruas vdiq pasi tentoi të arratisej nga dritarja.

Gruaja, e cila është në të 20-at, i tha policisë se u përpoq të digjte buburrecin me një çakmak dhe një sprej të ndezshëm, duke shtuar se e kishte përdorur metodën më parë. Por të hënën, shtëpia e saj u përfshi nga flakët raporton BBC.

Reklamë

Policia në qytetin verior të Osan tha se gruaja mund të akuzohet për ndezje aksidentale të një zjarri dhe shkaktim të vdekjes nga neglizhenca.

Shpërthimi i buburrecave – me pishtarë ose flakëhedhës shtëpie – është shfaqur si një mënyrë e re për t’u hequr qafe dëmtuesit e shtëpisë, e bërë popullore nga videot në mediat sociale.

Në vitin 2018, një burrë australian i vuri flakën kuzhinës së tij ndërsa përpiqej të vriste buburrecat me një flakëhedhës shtëpie të bërë nga spreji i insekteve.

Gruaja që vdiq në zjarrin e qytetit Osan, një shtetase kineze në të 30-at, jetonte në katin e pestë të ndërtesës me bashkëshortin dhe foshnjën e saj dymuajshe.

Kur kuptuan se kishte shpërthyer një zjarr, çifti hapi dritaren e shtëpisë dhe kërkoi ndihmë.

Reklamë

Ata ia dorëzuan foshnjën e tyre përmes dritares një fqinje në bllokun ngjitur, përpara se të përpiqeshin të evakuoheshin vetë.

Policia tha se besonte që çifti ishte përpjekur të ikte përmes dritares sepse tymi i dendur nga zjarri kishte bllokuar shkallët, raportojnë mediat lokale.

Ndërtesa strehon dyqane tregtare në katin e parë dhe 32 njësi banimi nga kati i dytë deri në të pestën.

Tetë banorë të tjerë vuajtën nga thithja e tymit për shkak të zjarrit./Reporteri.net/

Reklamë