×
  • Extra
  • Extra

    Prostitucion rrugëve të Tiranës, 27-vjeçarja ankohet: Na ka dëmtuar Covid, s’po ka klientë

    Reporteri
    25 Nëntor 2020 | 15:54

    Laura, kështu preferon ta quajnë, ofron trupin në rrugë. Ka dalë duke ecur me një fund të shkurtër në rrugën “Asim Vokshi”, përballë shkollës “Harry Fultz” dhe duke tundur çantën e vogël ndalon me sytë nga kalojnë makinat e pakta.


    Është ora 11 e natës dhe 27-vjeçarja, e mbërritur nga një fshat i Lezhës, e divorcuar dhe me qira diku pranë rrugës “Mine Peza” nuk ka gjetur ende një klient me të cilin do të bënte pazar. Ndalon përpara makinës dhe kur shikon që ulet shpejtësia, ulet pranë xhamit të dritares dhe pyet “a je për një xhiro”. Pa e ditur që në ndenjësen e pasme gjendet një gazetar, e reja ofron çmimin: “20 mijë lekë”.

    Por vajza nuk është e vetmja që përdor këtë rrugë si vendin e gjahut. E kthyer në një zonë ku prostituta rrugësh apo edhe biseksuale shesin trupin, syri të kap lirshëm persona që popullojnë rrugën në mënyrë të çuditshme në këtë kohë covidi.

    E njëjta panoramë me prostituta që ecin në këmbë dhe flasin e hedhin oferta me këmbësore apo shoferë makinash është edhe përgjatë rrugës nga stacioni i trenit deri pranë maternitetit. Nëse ecën në këmbë prostitutat gjenden në trotuarin e brendshëm, ngjajnë sikur bëjnë një xhiro shpërfillëse, por në të vërtetë ato ofrohen për xhiro në këmbim të shërbimeve seksuale.

    Laura thotë se pandemia i ka sjellë një dëm të pariparueshëm. Nëse në natë siguroja një apo dy klientë, me llogaritë e mia kështu i mbyll shpenzimet, pasi kam qira për të paguar, një djalë të vogël për të rritur. U mundova që të siguroja klientë ndryshe, por është e vështirë, mbase do më nevojitet një mashkull që të më ruajë nga klientë të dhunshëm, por nuk e kam gjetur ende as atë. Përse e ushtron prostitucionin?

    E thjeshtë fare përgjigjet: “më duhen para”. “Ish-burri përfundoi në burg dhe kur doli më la nga xhelozia dhe nga dhuna që ushtronte. Nuk gjeja punë, u lidha me një burrë të martuar që nuk më ndihmoi përkundrazi ma vështirësoi më tej jetën. Andaj i dhashë drejtim”.

    Por ndryshe nga shumë vajza të tjera të mbetura të papuna dhe të paafta për të siguruar një vend të denjë pune, zgjedhin si ajo të prostituojnë. Disa prej tyre në qendra masazhesh. Të tjera gjejnë klientë me telefon. Dhe rasti i Laurës është si i shumë grave të tjera që ecin rrugëve të Tiranës, pranë Casa Italia, në hyrje të Kombinatit, pranë lulishtes në afërsi të qendrës apo edhe pranë Bibliotekës Kombëtare, ose përgjatë autostradës.

    Edona E. nga fshati Baldushk është gjithashtu një prostitutë rruge. E arrestuar disa herë, ajo pritet të dalë sërish para gjykatës për të njëjtën vepër. “Është dënuar njëherë për ushtrim prostitucioni, kur vjen para gjykatës belbëzon të njëjtën frazë, nuk ka punë dhe flet për dy fëmijët e mitur që po i rrit”, shpjegon njëri nga avokatët e caktuar nga shteti që e përfaqëson falas. 40-vjeçarja u kap së fundmi së bashku me klientin, një 25-vjeçar që pranoi ofertën e saj për shërbime seksuale.

    Policia shkruan në procesverbal se pas vëzhgimit në ambient publik, rezultoi se ajo ushtronte prostitucion në prani të fëmijëve njëri prej tyre 12 vjeç dhe tjetri 8 vjeç, që të dy frut i një martese të dështuar, që u mbyll me largimin e burrit, i cili nuk i dha asaj asnjë të ardhur për të rritur dy të miturit.

    Vëzhgimi i fundit ndaj saj u zhvillua në rrugën e Qelqit në Kombinat, ku agjentët panë se pasi gruaja po patrullonte në këmbë ajo hipi në një makinë, dhe u largua duke parkuar më tej në shesh pushimi. Gruaja qëndroi disa minuta aty, ndërsa fëmija gjendej në automjet.

    Policia shkruan “automjeti niset sërish dhe e lë gruan në rrugë. Sërish, në datën pasardhëse është marrë në vëzhgim subjekti. E. del nga shtëpia ku jeton me qira në orën 23.30. Në rrugë ndalon pak më vonë një automjet tip skoda “Oktavia”, ajo hipën në mjet së bashku me fëmijën 7 vjeç dhe mjeti lëviz në drejtim të TEGU-ut”.

    Sipas të dhënave, disa minuta më vonë klienti i rastësishëm, një i ri 25 vjeç dhe gruaja me fëmijën hyjnë në hotel. Disa minuta më vonë sipas burimeve të gazetës Si, policia ndërhyn dhe gjen në dhomë prostitutën, klientin e saj dhe fëmijën e vogël. I riu i pyetur nga policia tregoi se bëri pazar me gruan dhe ajo i kërkoi 2500 lekë. “E pyeta po fëmija ku do qëndrojë dhe më tha do qëndrojë larg. Kur mbaruam më tha jepja lekët shefit, duke nënkuptuar fëmijën”.

    E pyetur nga policia, prostituta tregoi se zakonisht i gjente klientët me telefon, por në rastet kur nuk e telefononte askush ajo detyrohej të dilte në rrugë.

    “Është e vështirë të takosh të panjohur, janë të rrezikshëm ndaj e mbaj njërin nga fëmijët me vete. Që ata të kenë kujdes dhe të frenohen nga fëmija dhe mos të më rrahin. Nuk ka punë dhe ne nuk kemi asnjë shans për t’u ushqyer në rast se nuk punoj”, i rrëfeu policisë prostituta.

    Përse është e vështirë të ndalohet prostitucioni në rrugë?

    Pa më të voglin dyshim, prostitucioni në rrugë po kthehet në një shqetësim, kështu e nis përshkrimin e situatës një oficer policie. Por sipas tij mbetet e vështirë për t’u zbuluar duke qenë se vajzat dhe gratë që ofrojnë trupin, kujdesen të ngjajnë si të rastësishme në rrugë dhe jo sikur po punojnë. “Ka disa prej tyre, janë kryesisht gra tek të 45-at që njihen nga policia, ato arrestohen, dënohen dhe sërish dalin në rrugë.

    Pesë prej tyre janë arrestuar dhjetëra herë, gjithçka ka lidhje me ekonominë e tyre”, thotë eksperti i policisë sipas të cilit kjo është forma më e dobët e prostitucionit, sa kohë grupe të tjera janë formatuar dhe ofrojnë shërbime përmes mekanizmave të vështirë për t’u zbuluar”. “Ofrojnë femra me çmime të caktuara në hotele, ofrojnë drogë dhe për ne ky është shqetësimi më i madh”, e mbyll deklaratën në anonimitet oficeri./Gazeta Si

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!