Provat e fundit të një testi shtëpiak për coronavirusin

Studiuesit këtë javë filluan provat e saktësisë në një test diagnostikues për COVID-19 që mund të bëhet në shtëpi.


Madje, sipas një shkrimi të Al Jazeera, përcjell Telegrafi, një test i tillë, përveçse do të jepte rezultatet për më pak se 10 minuta, ai do të kushtonte hiq më shumë se 1 dollarë amerikanë.

Siç thuhet më tej, plani është që të prodhohen në mënyrë të dyfishtë testet në Senegal dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe nëse testi përmbush standardet, mund të shpërndahen në të gjithë Afrikën qysh në qershor.

“Fokusi ynë është të ofrojmë teste për kontinentin afrikan”, tha Amadou Sall, drejtori i Institutit Pasteur në Dakar, për Al Jazeera.

Sall dhe ekipi i tij i studiuesve në kryeqytetin e Senegalit, të cilët më parë kanë punuar në vaksina të tjera, thuhet se zhvilluan prototipin për testin diagnostikues në partneritet me Mologic, një kompani britanike bioteknike e themeluar nga shpikësi i testit të shtatzënisë Clearblue.

Pasi të jenë gati, testet do të prodhohen në Mbretërinë e Bashkuar dhe në një strukturë të re me bazë në Dakar të menaxhuar nga DiaTropix, një degë e Institutit Pasteur që përqendrohet në testimin e sëmundjeve infektive.

Sipas Sall, selia në Dakar do të ketë një kapacitet fillestar për të prodhuar deri në katër milionë teste në vit.

Zhvilluesit, siç thuhet më tej, janë gjithashtu në bisedime të fazës së hershme për vendet e prodhimit vendor që do të ngrihen në pjesë të tjera të kontinentit.

“Kur COVID-19 goditi, ne e dinim që nga fillimi se Afrika do të preket në mënyrë disproporcionale”, tha Joe Fitchett, drejtori mjekësor i Mologic për Al Jazeera. “Me një provë si kjo, ju mund të zbuloni [virusin] shumë shpejt në çdo pjesë të kontinentit dhe pastaj të shmangni bartjen”.

Për të zbuluar sa më shumë njerëz të jetë e mundur, Fitchett thotë se testi do të shitet me çmimin e kostos – që është afërsisht 1 dollarë – falë mbështetjes së dhënë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

“Qëllimi është ta mbash sa më poshtë”, tha Fitchett, duke shtuar se ata do të punojnë me furnitorët për të mbajtur çmimin sa më të ulët të jetë e mundur.