×
  • Extra
  • Raporto
  • Extra

    Pse dietat e shpejta nuk ndihmojnë për rënien nga pesha

    Reporteri
    29 Shtator 2026 | 16:56

    Në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, mjekja endokrinologe Renta Sanxhaku ka folur për dietat e shpejta, të njohura si “crash diets”, dhe arsyet pse ato nuk konsiderohen një zgjidhje e qëndrueshme për rënien nga pesha.

    Sipas saj, këto dieta mund të sjellin një rënie të shpejtë në peshë, por kilogramët e humbur mund të rikthehen po aq shpejt. Për më tepër, kufizimet e mëdha në ushqim mund të çojnë në mungesa të disa makronutrientëve dhe elementëve ushqyes të rëndësishëm për organizmin.

    “Crash diets, domethënë këto dietat e shpejta, nuk janë të qëndrueshme. Pesha, siç mund të bjerë, ashtu dhe mund të rimerret shumë shpejt dhe kjo është një gjë që e penalizon shumë individin”, shprehet Sanxhaku.

    Ajo thekson se një tjetër problem i këtyre dietave është mungesa e përfitimeve afatgjata. Sipas mjekes, një qasje e tillë nuk e ndihmon individin të ndërtojë një mënyrë të qëndrueshme të ushqyerit dhe të kujdesit ndaj peshës.

    “Prandaj unë nuk do t’i rekomandoja kurrë”, tha endokrinologia, duke nënvizuar rëndësinë e ndryshimeve graduale në stilin e jetesës.

    “Ndryshime të vogla me hapa të ngadalshëm që vijnë duke u rritur, por që të jenë të qëndrueshme”, është qasja që ajo rekomandon për menaxhimin afatgjatë të peshës./GSH

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!