×
  • Extra
  • Extra

    Rrëfimi i kosovarit që u dashurua me një djalë nga Gjermania, si ishte i gatshëm të linte gjithçka për dashurinë e parë

    Reporteri
    23 Korrik 2019 | 8:55

    Ishte vetëm 12 vjeçar kur Erblin Nushi, filloi të dashurohej me procesin e tregimit të historive përmes videos. Ai dhe motra e tij filluan të bënin parodi të videoklipeve muzikore. Mblidhte familjen e tij dhe me padurim priste reagimet e tyre teksa shikonin videot e tij, të bëra me një videokamerë që kishte marrë dhuratë nga i vëllai. Po në atë kohë, familja e tij fitoi llotarinë “Green Card” dhe jeta e tyre nisi të marrë një kahje tjetër dhe të ndryshojë përgjithmonë.


    Erblini, ishte shumë i lumtur që do të jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që ëndrra e tij për tu bërë një filmbërës profesional filloi të duket e arritshme. Por, ishte gati që ta linte edhe këtë ëndërr për shkak të një dashurie që kishte nisur online më një djalë që jetonte në Gjermani.

    Kjo dashuri e kishte “verbuar” Erblinin dhe ishte i gatshëm që ta linte Amerikën vetëm për djalin që jetonte në Gjermani. Megjithatë, Erblini vazhdoi në Amerikë me familjen duke konsideruar se karriera dhe shkollimi ishin më të rëndësishmet.

    Erblin Nushi, ka rrëfyer gjithë atë rrugëtim dhe atë dashuri që nuk u realizua kurrë, por ndihet i lumtur që përjetimet e tij personale t’i tregojë përmes filmit, duke tentuar kështu që t’u japë zemër edhe shumë të rinjve tjerë që bien në dashuri qysh në adoleshencë dhe veçmas kur dashurojnë personat me seks të njëjtë.

    “Kjo temë fatkeqësisht është prapë e vështirë për tu folur. Është tabu ende. E morra me qëllim që ta hapin këtë bisedë që prindërit kur të shohin këtë film të dinë se si të sillen me fëmijën e tyre. Të kuptojnë më mirë se si ndihet fëmiu i tyre kur bie në dashuri për herë të parë. Dashuria si dashuri është e njëjtë për të gjithë, si me djalë, si me vajzë. Për dashuri bënë çmos, çkado dhe je i gatshëm për ta lënë një mundësi për t’u shpërngulur në një vend tjetër”, ka thënë Erblini në rtv Dakagjini.

    Ai, pret që ngjarja dhe rrëfimi i tij personal të ndihmoje personat LGBTI+ dhe të mos bëjnë gabimet që kishte bërë ai.

    “Gabimi më i madh ka qenë durimi. Durimi për bisedën me prindërit. Ai ka qenë gabimi më i madh, se siç thash dashuria ta humb durimin dhe merr veprime pa mendu dhe ajo mund të shkaktojë probleme. Në Kosovë, nga eksperienca ime personale është se fëmijët nuk flasim me prindërit për dashurinë apo jo. Nuk hapemi me prindërit tanë”, vazhdon rrëfimin Erblini, duke treguar po ashtu se sa me fat ishte që kishte një familje të kuptueshme.

    “Ka qenë e vështirë. Tash nëntë vite prej se ka fillu ky lloj procesi i hapjes dhe afrimit dhe kuptimit me prindërit. Por, ka qenë proces. Por ekspozimi e bënë të veten. Ne kemi qenë me fat që kemi shku në Amerikë dhe ekspozimi ndaj këtij komuiniteti e ka bërë më të pranueshëm”, shprehet ai.

    E kur fol për Kosovën, Erblini thotë se gjërat po ndryshojnë, por ngadalë. Megjithatë ai doli haptas në publik dhe pret që njerëzit ta pranojnë.

    “Ka ndryshu pak a shumë, edhe pse unë kam qenë i pranuar prej familjes dhe shoqërisë së ngushtë. Tash është hera e parë që po e them haptas. Megjithatë nuk ka ndryshu shumë. Ky film ka pas shumë ndikim në vendimin tim por më shumë ka qenë edhe vetë fakti që unë jetoj në Los Angelos dhe është vend që mundesh me qenë çka të duash dhe askush nuk të gjykon”, tregon tutje Erblini.

    Ai, shpreson që dalja e tij publike do t’i shtyjë njerëzit të ngrisin zërin dhe të flasin për atë çka janë.

    Erblini, është duke luftuar që të lobojë për njerëzit që nuk kanë zë, për njerëzit që nuk jetojnë në Los Angelos si ai dhe duke u dhënë zë të gjithë personave LGBTI+.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!