Në vitin 1972, Shere Hite, ish-modele e Playboy dhe studiuese feministe e seksualitetit, nisi një udhëtim të pazakontë nëpër Manhattan. Me një fustan të gjatë vintage dhe flokët e saj të kuq që i dilnin nga helmeta, ajo u shpërndau grave pyetësorë anonimë për jetën e tyre seksuale.
Pyetjet ishin të drejtpërdrejta: Si e përjetojnë orgazmën? A ndihen të lira të kërkojnë atë që dëshirojnë? A mendojnë se seksi ka lidhje me pushtetin dhe politikën?
Përgjigjet u bënë baza e librit “The Hite Report: A Nationwide Study of Female Sexuality”, botuar në vitin 1976. Libri u kthye në një fenomen botëror dhe shiti rreth 50 milionë kopje.
Risia e Hite ishte se ajo nuk u tregonte grave se çfarë duhej të ndienin. Ajo i pyeste se çfarë ndienin realisht.
Studimi zbuloi se shumë gra amerikane nuk ishin të kënaqura me mënyrën tradicionale të seksit. Sipas të dhënave të saj, rreth 70 për qind nuk arrinin orgazmën vetëm përmes penetrimit dhe një pjesë e konsiderueshme pranonin se ishin shtirur. Për Hite, problemi nuk ishte thjesht seksual, por lidhej me mënyrën se si shoqëria e kishte përcaktuar rolin e gruas.
Nga modelja te aktivistja feministe
Rruga e Hite drejt feminizmit nisi në mënyrë të pazakontë. Ndërsa studionte për doktoraturë në Columbia University, ajo punonte si modele dhe u shfaq edhe në një reklamë për makinat e shkrimit Olivetti. Kur reklama u publikua me një slogan seksist, organizata feministe NOW protestoi publikisht.
Hite u bashkua me lëvizjen dhe filloi të merrte pjesë në grupet e ndërgjegjësimit, ku gratë mblidheshin për të folur hapur për jetën e tyre, punën, familjen, trupin dhe diskriminimin.
Ajo vuri re diçka të rëndësishme: gratë flisnin për pothuajse çdo gjë, por seksi mbetej një temë tabu.
Për këtë arsye, Hite krijoi një pyetësor anonim që u shpërnda në një shkallë të jashtëzakonshme. Revista, organizata feministe, grupe të të drejtave të abortit, madje edhe revista për të rritur, e publikuan atë. Pyetësori përfundoi në duart e mijëra grave në të gjithë SHBA-në.
Një sfidë ndaj Frojdit dhe normave seksuale
Një nga përfundimet më të rëndësishme të Hite ishte kritika ndaj ideve të vjetra të Sigmund Frojdit. Për vite me radhë, grave u ishte thënë se orgazma vaginale ishte forma “e pjekur” e seksualitetit, ndërsa kënaqësia klitorale konsiderohej nga disa teori si më pak e zhvilluar.
Hite argumentoi se këto ide kishin bërë që shumë gra të mendonin se problemi ishte tek ato.
Ajo kritikoi edhe studimet e famshme të Masters dhe Johnson, të cilat kishin dokumentuar reagimet fizike gjatë seksit. Sipas Hite, edhe pse kërkimet e tyre treguan rëndësinë e klitorisit, ato nuk e sfiduan plotësisht modelin tradicional ku penetrimi mbetej qendra e seksit.
Për Hite, çështja kryesore nuk ishte mungesa e informacionit. Ishte mungesa e pushtetit.
Ajo besonte se gratë shpesh nuk kërkonin atë që dëshironin sepse ishin rritur në një shoqëri ku kënaqësia mashkullore konsiderohej më e rëndësishme.
Nga suksesi te rrëzimi publik
Hite botoi edhe dy libra të tjerë, The Hite Report on Male Sexuality në vitin 1981 dhe Women and Love në vitin 1987. Por këto vepra u pritën keq.
Kritikët vunë në dyshim metodologjinë dhe disa prej statistikave të saj, ndërsa mediat e portretizuan gjithnjë e më shumë si një figurë kontroverse dhe “anti-mashkullore”.
Hite ishte gjithashtu shumë e drejtpërdrejtë dhe shpesh largohej nga intervistat kur mendonte se po trajtohej në mënyrë seksiste. Në vitet ’80 dhe ’90, ndërsa forcohej reagimi konservator kundër feminizmit, ajo u bë një nga objektivat e sulmeve mediatike.
Në mesin e viteve ’90 u largua nga SHBA-ja dhe jetoi në vende të ndryshme të Europës. Shere Hite vdiq në Londër në vitin 2020.
Çfarë mbetet nga trashëgimia e saj?
Edhe pse shumë prej të dhënave të Hite sot konsiderohen të diskutueshme, ideja e saj kryesore mbetet e rëndësishme: gratë duhet të kenë të drejtën të flasin për dëshirat, kufijtë dhe përvojat e tyre, pa u bërë të ndihen fajtore apo “problematike”.
Studimi i saj ndihmoi që kënaqësia e grave, pëlqimi dhe e drejta për të thënë “jo” të bëheshin pjesë e debatit publik.
Por Hite shkonte edhe më tej. Ajo nuk besonte se mjaftonte që një grua të mësonte të shprehte dëshirat e saj. Sipas saj, pabarazia gjinore ekzistonte shumë përpara se një çift të hynte në dhomën e gjumit: në punë, në ekonomi, në familje dhe në mënyrën se si gratë shiheshin nga shoqëria.
Trashëgimia më e madhe e Shere Hite ishte pikërisht kjo: ajo i bëri gratë të kuptonin se përvojat e tyre personale nuk ishin thjesht çështje private, por mund të ishin pasqyrë e një shoqërie të tërë./tiranapost/