×
  • Extra
  • Extra

    Sonte Nata e Kadrit për muslimanët, shenjat dhe gjithçka që duhet të dini rreth kësaj nate të mirë

    Reporteri
    26 Mars 2025 | 19:22

    Nata e Kadrit konsiderohet si nata më e shenjtë e vitit për muslimanët dhe sipas fesë islame, agjërimi në këtë ditë konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Për këtë arsye numri i personave që agjërojnë sot është shumë më i madh se ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit.

    Po përse nata e Kadrit është e vlefshme sa jeta e një njeriu, pra një mijë muaj?

    Nata e Kadrit shënon zbritjen e Kuranit në tokë dhe fillimin e shkrimit të librit të shenjtë. Sipas klerikëve agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti. Mendohet të jenë me mijëra, jo vetëm besimtarë myslimanë, ata që agjërojnë ditën e Kadrit.

    Me lejen e Zotit të tyre në natën e Kadrit thuhet se zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit. Myslimanët besojnë që Kurani u zbrit në natën e Kadrit tek Muhammedi prej Allahut. Zbritja filloi në shpellën Hira në Mekë. Sureja që u zbrit e para ishte sureja Alak.

    Shenjat e natës së Kadrit

    Kjo natë kaq e madhe, ka shenjat e saj, të cilat nuk vihen re, vetëm pasi të ketë lindur dita e re. Ndër këto shenja është se dielli i ditës që pason natën e Kadrit, lind pa rreze, ose është i kuq dhe ndriçim të zbehtë.

    Një shenjë tjetër që thuhet, është dhe shiu i lehtë që mund të bjerë natën e Kadrit, era dhe se ajo natë, është e hapur, as e nxehtë dhe as e ftohtë.

    Çfarë duhet të bëjë muslimani Natën e Kadrit?

    Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

    Të bëjë teube e istigfar (të pendohet, për mëkatët dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.

    Të shtojë tespihët (të permendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.

    Të bëjë salavat për Pejgamberin a.s.

    Të japë sadaka sa të ketë mundësi.

    Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj).

    Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!