×
  • Lajme
  • Extra
  • Raporto
  • Tech

    OKB paralajmëron për rreziqet e inteligjencës artificiale: Një nga sfidat më të mëdha globale për njerëzimin

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 15:18

    “Inteligjenca artificiale përbën një nga sfidat më të mëdha globale për njerëzimin”.

    Paralajmërimi është bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku drejtues të kompanive më të fuqishme të inteligjencës artificiale dhe përfaqësues të qeverive kërkuan bashkëpunim ndërkombëtar për të përballuar rreziqet e teknologjisë.

    Takimi u thirr nga Franca gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB dhe vjen në një kohë kur zhvillimi i modeleve të avancuara të AI po ecën me ritme të shpejta.

    “Jemi në një pikë kthese. Njëra rrugë çon drejt një bote ku pushteti përqendrohet, vendimet janë të paqarta dhe njerëzit ndihen sikur teknologjia më e rëndësishme e kohës së tyre po u imponohet. Rruga tjetër çon drejt një bote ku inteligjenca artificiale u shërben njerëzve, sepse njerëzit, përmes institucioneve demokratike, ndihmojnë të vendosin se si duhet të zhvillohet dhe të drejtohet ajo”, tha CEO i OpenAI, Sam Altman.

    Shefi ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, paralajmëroi se sa më të fuqishme të bëhen modelet e inteligjencës artificiale, aq më të rrepta duhet të jenë standardet e sigurisë.

    “Ne e kuptojmë se, ndërsa modelet e inteligjencës artificiale bëhen më të fuqishme, do të nevojiten standarde edhe më të rrepta sigurie. Ne synojmë vazhdimisht të përmirësojmë praktikat tona të sigurisë dhe përafrimit, si dhe aftësinë për të parandaluar keqpërdorimin. Do të ngadalësojmë aq sa të jetë e nevojshme, për t’u siguruar që çdo teknologji e re e inteligjencës artificiale që nxjerrim të jetë e sigurt”, tha CEO i Anthropic, Dario Amodei.

    Por përballë thirrjeve për bashkëpunim global, Shtetet e Bashkuara shfaqën një qëndrim më të rezervuar ndaj krijimit të një kuadri të përbashkët rregullator nderkombëtar.

    Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për shkencën dhe teknologjinë, Michael Kratsios, tha se institucionet ndërkombëtare duhet të përqendrohen te shkëmbimi i praktikave më të mira dhe forcimi i kapaciteteve kombëtare, dhe jo te krijimi i një skeme globale rregullimi.

    Nga ana tjetër, ministri i jashtëm i Francës theksoi se kjo është një sfidë që nuk mund të lihet vetëm në duart e aktorëve privat.

    “Potenciali për transformim dhe përçarje është i tillë që kjo teknologji nuk mund të lihet në duart e vetëm disa aktorëve privatë. Është një sfidë e madhe që duhet të trajtohet nga shtetet. Le të punojmë së bashku, me sektorin përkatës, për të përcaktuar rolet në këtë epokë të re dhe për të forcuar pa vonesë qeverisjen e inteligjencës artificiale, në mënyrë që ajo t’i shërbejë sigurisë sonë kolektive, por edhe njeriut dhe dinjitetit të tij”, tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean Noel Barrot.

    Këshilli i Sigurimit u mblodh për herë të parë mbi rreziqet e Inteligjencës Artificiale në vitin 2023, kur Kina tha se teknologjia nuk duhet të bëhet një “kalë i arratisur” dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan kundër përdorimit të saj për të censuruar ose shtypur njerëzit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!