Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka shënuar përparim në demokraci, sundim të ligjit dhe ekonomi, ndërsa ka paralajmëruar se zvarritja e punës së Kuvendit mund të ndikojë në përfitimin e fondeve evropiane.
Kurti i bëri këto deklarata në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës së saj në rajon.
Duke folur për zhvillimet demokratike, Kurti tha se vlerësimet e pavarura, sipas tij, tregojnë për përmirësim të treguesve demokratikë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve.
“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur. Kosova ka pasur njërën prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë”, tha Kurti.
Ai u ndal edhe te procesi zgjedhor, duke thënë se Kosova është demokraci elektorale dhe se zgjedhjet në vend janë të lira, të drejta dhe konkurruese.
“Për drejtësi në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ka autokraci elektorale; Kosova demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit”, deklaroi ai.
Kurti: Ekonomia rritet 4 për qind në vit
Sipas Kurtit, Kosova po shënon rritje ekonomike prej rreth 4 për qind në vit, ndërsa borxhi publik, siç tha ai, mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.
Ai përmendi edhe masat sociale të ndërmarra nga Qeveria, duke përfshirë shtesat për fëmijë dhe nëna, rritjen e pensioneve dhe të pagës minimale.
Kurti tha gjithashtu se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.
“Bllokada në Kuvend mund të lërë prapa fondet evropiane”
Duke folur për Planin e Rritjes, Kurti tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa për përmbushjen e reformave dhe se pret që Kuvendi të procedojë ligjet e nevojshme.
“Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do t’i mbetet mbrapa. Ajo që bllokada në Parlamentin tonë mund të lërë prapa, janë fondet evropiane për këto reforma. Dhe kjo natyrisht që është përdorur keq”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se pesë ditë më parë Qeveria ka miratuar 10 nga 12 ligjet që kishin afat në qershor dhe i ka ridërguar në Kuvend.
“Jam i bindur se Kuvendi do të veprojë shpejt, dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë plotësisht nga plani i rritjes”, shtoi ai.
Kërkesat e Kurtit ndaj BE-së
Në takimin me von der Leyen, Kurti tha se ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, me qëllim që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ai tha se ka kërkuar gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.
“Kosova ka treguar se çfarë mund të arrijë. Hapja e këtyre dyerve do të na shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik”, tha Kurti.