Pas dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nga Konventa ku pritet zgjedhja e kryetarit të ri, i ka dërguar një mesazh të qartë pasuesit të tij në krye të partisë. Krasniqi theksoi se çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë dhe se përgjegjësia e tij është të ecë me qëllim të mirë dhe punë të sinqertë.
“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: ‘Rruga nuk i përket udhëheqësit – udhëheqësi i përket rrugës’. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, tha Memli Krasniqi.