Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e quajti fatkeqësi dështimin e sërishëm të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në hollin e Kuvendit pak pas mbylljes së seancës, ai tha se “jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar insitucionet”.
“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve”, tha Rohde.
Ai e quajti vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme si karton të kuq “sepse po e suspendon parlamentin për të marrë një vendim”.
Rohde ishte i pranishëm në këtë seancë së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, BE-ja, Britannia e Madhe, Franca, etj./REL