Sot, sheshi “Skënderbej” në Tiranë u mbush me mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, nga Tirana, Prishtina, Ulqini, Shkupi, Presheva e deri në diasporë, për të shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po gjykohen në Hagë. Tubimi, i organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kishte moton “Liria ka emër” dhe kërkonte drejtësi për çlirimtarët.
Protesta nisi me intonimin e himnit kombëtar nga tenori i njohur Kastriot Tusha dhe vazhdoi me fjalime të fuqishme nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe Ali Ahmeti, lider i BDI-së dhe themelues i UÇK-së.
Në fjalimin e tij, Moisiu theksoi rolin historik të ish-krerëve të UÇK-së: “Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar përballë padrejtësive që po u bëhen bijëve më të mirë të Kosovës. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore, çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet.”
Ndërsa Ali Ahmeti u shpreh se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse dhe theksoi se Ushtria Çlirimtare ka respektuar ligjet ndërkombëtare të luftës. Ai paralajmëroi edhe për rrezikun e propagandës që ndan shqiptarët dhe i shërben Beogradit dhe Moskës:
“Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale apo partiake. Ne duhet të bashkohemi siç u bashkuam për Kosovën Republikë, për Shqipërinë demokratike në NATO dhe në BE, për shqiptarët e barabartë në Maqedoni e Mal të Zi, ashtu duhet të bashkohemi edhe për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e UÇK-së.”
Për këtë tubim reagoi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili publikoi pamje nga sheshi “Skënderbej” duke e quajtur atë “zemra mal”.
Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, e përshkroi protestën si një shprehje të krenarisë dhe unitetit shqiptar:
“Emocione! Krenari! Bashkim! Vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe drejtësia për historinë tonë mund t’i mbledhin shqiptarët kështu – me mijëra, me zemër, me besë e nder. Sot, Tirana u bë zëri dhe qëndrimi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve anekënd botës. Drejtësi dhe vetëm drejtësi! Liri për çlirimtarët tanë!”
Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, gjithashtu mori pjesë dhe publikoi mesazhe të fuqishme, duke theksuar se qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare u bashkuan për të nderuar ata që dhanë jetën për lirinë e kombit. Një nga fotot më simbolike tregon Ramën krah për krah me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi. Rama shtoi:
“Ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë! Sot, ky shesh është zemra e kombit që rreh me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë!”
Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu mbështetjen e tij për UÇK-në, duke e cilësuar atë themel të lirisë së Kosovës dhe krenari të historisë kombëtare:
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”
Protesta e sotme në Tiranë simbolizoi unitetin e shqiptarëve dhe kërkesën për drejtësi, duke bashkuar të gjitha gjeneratat dhe trojet shqiptare për të nderuar çlirimtarët e UÇK-së.