Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur për media pas dështimit të 35’të për ta konstituuar Kuvendin.
Çitaku i bëri thirrje publike Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim, duke shtuar se Kosova është buzë kolapsit.
Ndër tjerash, deputetja e PDK-së tha se egoja e Kurtit është më e madhe se Kosova.
“Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, egoja është më e madhe se Kosova, ambicia është më e rëndësishme se demokracia, kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV që të reflektojë”, tha Çitaku.
Deputetja e PDK-së paralajmëroi për pasojat e rënda që po i shkaktohen vendit nga vonesat në ndërtimin e institucioneve të reja.
“Kosova është buzë kolapsit. Çdo ditë kemi lajme për dëmin e pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kolapsit në sektorin e energjisë”, theksoi Çitaku.
Seanca është shtyrë për të hënën në ora 11:00. /Reporteri.net/.