Ka nisur seanca për votimin në lexim të dytë të projekt-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Me shumicë votash deputetët kanë votuar për shmangie të procedurave në votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
89 deputetë votuan pro pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosjes për shmangie të procedurave.
“Nga komisionet të shqyrtohet menjëherë dhe të vazhdohet me lexim të dytë”, ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Pas votimit të këtij projektligji, deputetët do të votojnë për presidentin.
Kanë mbetur rreth gjysmë ore deri te përfundimi i afatit për zgjedhjen e presidentit.
Seanca e Kuvendit po mbahet menjëherë pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se pranon propozimin e kryeministrit Albin Kurti që Justina Shiroka-Pula të jetë kandidate për presidente.
PDK-ja propozoi që kundërkandidate të jetë Eliza Hoxha, duke theksuar se këta emra janë të vetmit të pranueshëm për të.