Gjesti i Hamzës në nisje të seancës, përshëndet Kurtin dhe Haradinajn
Reporteri ·1 min lexim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në fillim të seancës së Kuvendit, është parë duke përshëndetur dorë më dorë kryeministrin Albin Kurti dhe ish-kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Hamza fillimisht është afruar te Kurti, me të cilin është përshëndetur, ndërsa më pas ka bërë të njëjtën gjë edhe me Haradinajn.
Ky veprim i Hamzës ka tërhequr vëmendje, pasi një gjest i tillë publik mes këtyre figurave politike nuk është parë më herët në këtë formë.
Reklamë
Përshëndetja ka ndodhur në nisje të seancës së Kuvendit, në një moment kur deputetët janë mbledhur për të trajtuar votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas pritet të votohet edhe për presidenten e vendit.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe në lexim të dytë ndryshim-ligjin për Dhomat e Specializuara. Në momentin e miratimit të Ligjit. deputetët kanë duartrokitur në Kuvend, derisa protestuesit kanë brohoritu dhe festuar jashtë objektit të Kuvendit.
Ky ligj ka qenë kërkesë e protestueve që 21 ditë, pasi Gjykata Speciale kishte dënuar ish-krerët e UÇK-së.
Projekt-ligji ishte inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është mbështetur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas votimit, organizatori i protestave 21 ditore në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së në Hagë tha se votimi i ligjit në Kuvend është rezultat i presionit qytetar dhe paralajmëroi vazhdimin e angazhimit.
Haziri, e ka cilësuar votimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së si një fitore të protestuesve që për 21 ditë kanë qëndruar në sheshet e Prishtinës.
Në fjalimin e mbajtur pas votimit, Haziri tha se miratimi i ligjit nuk duhet parë si fundi i protestës dhe angazhimit qytetar, por si një hap në kauzën që protestuesit kanë mbështetur gjatë tri javëve të fundit.
“Fitorja e sonte është e madhe, por ky është vetëm fillimi i angazhimit tonë të pandalshëm qytetar në mbrojtje të Republikës”, tha Haziri para protestuesve.
Ai pretendoi se presioni i vazhdueshëm i qytetarëve ishte vendimtar për votimin e ligjit në Kuvend.
“Ky ligj nuk na u fal. Ky ligj nuk kaloi nga dëshira e atyre aty brenda. Ky ligj u fitua këtu jashtë. U fitua nga ju”, deklaroi Haziri.
Organizatori i protestave kritikoi mënyrën se si politika e trajtoi çështjen gjatë ditëve të fundit, duke thënë se protestuesit kishin parë “luhatje” dhe “kalkulime” përpara votimit.
Sipas tij, qytetarët nuk do të duhej të protestonin për 21 ditë që institucionet të merrnin një vendim që ai e konsideron detyrim ndaj trashëgimisë së UÇK-së.
Haziri megjithatë u kërkoi protestuesve që të mos e paraqesin votimin si një arritje përfundimtare.
“Ky votim sonte nuk është asnjë mrekulli. Ai është thjesht një borxh i vonuar, një detyrim minimal që ky shtet e kishte ndaj atyre që i dhanë jetën”, tha ai.
Në pjesën më emocionale të fjalimit, Haziri përmendi Adem dhe Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Fehmi Lladrovcin, duke thënë se miratimi i një ligji në Kuvend nuk e përfundon atë që protestuesit e konsiderojnë përgjegjësi institucionale ndaj luftës së UÇK-së.
Ai e lidhi vazhdimin e protestave edhe me proceset gjyqësore në Hagë, ku po gjykohen ish drejtues të UÇK-së.
“Mendja dhe zemra jonë mbeten atje, në Hagë”, tha Haziri.
Ai paralajmëroi se organizatorët do të vazhdojnë angazhimin edhe për sigurimin e fondeve dhe zbatimin e plotë të ligjit nga institucionet e Kosovës.
“Ne do të jemi këtu derisa pafajësia e krerëve tanë të vërtetohet plotësisht”, deklaroi Haziri, duke shtuar se protestuesit do të vazhdojnë të mblidhen në sheshet e Prishtinës.
Fjalimin ai e përmbylli duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen gjatë 21 ditëve të protestave dhe me thirrjen: “Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!”
Kuvendi i Kosovës me 88 vota ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pro ndryshimeve ligjore votuan deputetët nga LVV-ja, PDK-ja, Aleanca dhe ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim. Projektligji u miratua me një amendament.
Propozimi i PDK-së për ndryshimin e ligjit për Specialen përmban dispozita që synojnë t’ia kufizojnë mandatin lëndor, edhe kohor e edhe territorial kësaj gjykate me seli në Hagë.
Ligji në fuqi i jep kompetencë gjykatës të vendosë mbi veprat penale të kryera mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, por me ndryshimet e propozuara, synohet të kufizohet juridiksioni në vepra të kryera vetëm pas luftës nga 1 korriku 1999-31 dhjetor 2000.
Projektligji përcakton edhe cilat vepra penale do të mund të gjykoheshin në Speciale.
Neni 2 e kufizon juridiksionin në vepra specifike, të lidhura me nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm i organeve, indeve ose qelizave njerëzore, siç identifikohet dhe pretendohet specifikisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Po ashtu, edhe veprat si vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor dhe çnjerëzor i kryer në vendet specifike të ndalimit të emërtuara shprehimisht në Raport, dhe kur akte të tilla janë kryer drejtpërdrejt ose në lidhje të menjëhershme me veprimet e marrjes së organeve.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion lëndor mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike të kryer në Kosovë që nuk përbëjnë element të drejtpërdrejtë dhe përbërës të akteve specifike të numëruara në paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 2 të projektligjit.
Ndërkaq, neni 6 parasheh që procedurat aktive që nuk bien në juridiksionin e ri të Speciales, e po ashtu edhe aktakuzat e konfirmuara dhe gjykimet, të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kallëzimet penale, hetimet dhe dosjet e ndjekjes, t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Për personat e paraburgosur, projektligji i hartuar nga PDK-ja parasheh transferimin në Kosovë.
“Autoriteti pranues ndërmerr pa vonesë veprimet e nevojshme që personi të paraqitet para gjyqtarit kompetent jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e tij në territorin e Kosovës. Gjykata kompetente shqyrton në mënyrë të pavarur ligjshmërinë dhe nevojën e vazhdimit të privimit nga liria dhe vendos për paraburgimin ose masat alternative sipas Kodit të Procedurës Penale”, parashihet në projektligj. Një nen tjetër përcakton që Specialja të mund t’i shqiptojë një personi të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se 15 vjet. Ndërsa, neni 17 parasheh se të dënuarit me aktgjykim të formës së prerë mund të jenë subjekt i faljes individuale nga presidenti i Kosovës.
Paraprakisht, me shumicë votash deputetët kanë votuar për shmangie të procedurave në votimin në lexim të dytë të projektligji. 89 deputetë votuan pro propozimit për shmangie të procedurave.
Pastaj, puna kaloi tek komisionet përkatëse të cilat unanimisht e kanë miratuar projektligjin.
Nisma e PDK-së erdhi vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me 81 vjet heqje lirie.
Ka nisur seanca për votimin në lexim të dytë të projekt-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Me shumicë votash deputetët kanë votuar për shmangie të procedurave në votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
89 deputetë votuan pro pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosjes për shmangie të procedurave.
“Nga komisionet të shqyrtohet menjëherë dhe të vazhdohet me lexim të dytë”, ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Pas votimit të këtij projektligji, deputetët do të votojnë për presidentin.
Kanë mbetur rreth gjysmë ore deri te përfundimi i afatit për zgjedhjen e presidentit.
Po ashtu ka njoftuar se gjatë protestimit, një personi i është përkeqësuar gjendja dhe zyrtarët policorë i kanë ofruar ndihmë.
“Në orët e mbrëmjes, protestuesit nga sheshi “Ibrahim Rugova” janë zhvendosur në sheshin “Skënderbeu”, për të vazhduar me protestë, ku kohë pas kohe nga persona të caktuar ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarre. Gjatë protestimit, një personi i cili gjendej në masë, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, të cilin zyrtarët policorë janë futur në masë për ti ofruar ndihmë mjekësore, të cilit i kanë mundësuar tërheqjen nga masa në bashkëpunim me qytetarë, për ta dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku edhe i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor. Policia e Kosovës, falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe njëherit vazhdon të ju bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në interes të sigurisë së përgjithshme. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe po monitoron situatën e zhvillimet në terren, forma e protestimit të qetë ndihmon dhe kontribuon në mbarëvajtjen e protestës, rendit dhe qetësisë publike, duke mos rrezikuar jetën dhe pronën publike e private”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestave ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se durimi po soset.
Ai ka thënë se “çështjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ligjet e lirisë s’guxojnë të shndërrohen në monedhë këmbimi”.
“Çdo përpjekje për të kushtëzuar apo vonuar vendimet jetike për UÇK-në, përbën papërgjegjësi historike. Të vendosesh në peshore sakrificën e një populli përballë emrave të përveçëm apo interesave partiake është pengmarrje e historisë sonë. Le ta dëgjojnë mirë këtë shesh në këto orë të vona të mbrëmjes. Mesazhi ynë është i prerë e i qartë. UÇK nuk është mall tregu e nuk bën pjesë në asnjë pazar politik”, ka thënë Haziri në fjalimin e tij para turmës së protestuesve që janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë.
Sot është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në propozimin e fundit ka ofruar mbajtjen e një seance me dy pika të rendit të ditës: votimin në lexim të dytë të ndryshimeve të Ligjit për Specialen dhe zgjedhjen e presidentit. Ai ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, si kandidatura për postin e presidentit. Oferta është refuzuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Protestuesit kanë nisur të hedhin mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje te protestuesit të mos e gjuajnë asnjë mjet piroteknik në drejtim të policisë.
Një numër i mjeteve piroteknike kanë rënë në afërsi të policisë.
“Policia është e jona. Ne kemi dal për të protestuar, jo me u përlesh me policinë. Forca jonë është zëri ynë”, ka thënë Çlirim Haziri.
Ndërkohë, që nga ky tension të paktën njw protestues ka mbetur i lënduar nga kundërpërgjigja e policisë.
Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet një president i ri, Kosova do të shkojë në ciklin e katërt zgjedhor brenda dy vjetësh. E edhe sot jashtë Kuvendit janë ftuar protesta në kërkim të miratimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
Mbrëmë protestat përshkallëzuan në përplasje me Policinë.
Njësite speciale të Policisë së Kosovës kanë “blinduar” objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë që qytetarë po protestojnë para hyrjes së Kuvendit, disa pjesëtarë të njësiteve speciale të Policisë janë parë duke hyrë brenda objektit të Kuvendit.
Nga ana tjetër, njësite të shtuara janë vendosur edhe buzë hyrjeve të institucioneve tjera, si ato të Kuvendit, ashtu edhe të Qeverisë.
Kujtojmë se sonte është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, sakaq protestuesit po kërkojnë votimin në lexim të dytë të projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Ish-ministri dhe ish-kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi u është bashkuar protestuesve në sheshin e Prishtinës.
Ai ka thënë se ka dalë në protestë jo si pjesë e LDK-së, e as partive tjera, por për UÇK-në, të cilën e ka vlerësuar si vlerën më të madhe sublime të kombit shqiptar.
“Sot unë nuk kam ardhur as për PDK-në, as për LDK-në, e as për Aleancën. Unë sot këtu kam ardhur për UÇK-në, si vlera më e madhe e jona. Ne po flasim për një vlerë sublime, vlerën më sublime të kombit shqiptar.”, ka thënë anëtari i LDK-së në një prononcim për Klan Kosovën.
Ai ka thënë se zgjidhja ideale do të ishte gjetja e një konsensusi ndërmjet partive për çështjen e presidentit, por ka thënë se mbi çdo çështje tjetër në këtë moment është mbrojtja e UÇK-së.
“Ka një nismë juridike që ajo me një strategji pas këtij ligji, bëhet një strategji kombëtare për këtë punë. Këtu ka strategji politike partiake. Në qoftë se nuk e bëjnë këtë, atëherë duhet me mendu ata përfaqësues të kujt janë. Sot e kanë fjalën e fundit përfaqësues të popullit, nëse janë përfaqësues të popullit. Unë mendoj që peshorja e LDK-së ka qenë e vogël. Është dashur me pa këtë situatë me një peshore tjetër. Kjo është peshorja më e madhe që ka pas Kosova”, ka thënë Kuçi.
Po vazhdon nata e 21 e protestës në Prishtinë, ku po kërkohet ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale.
Kjo protestë sonte është vetëm pak ora para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, në rast se dështon si proces, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në natën e 21 të protestës të pranishëm janë edhe Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli.
Protesta e natës 20 kishte eskaluar, ku Policia gjuajti edhe gaz lotsjellës.
Ndërkohë, njw protestë “gjithëpopullore” është thirrur për në orën 21:00.
“SONTE, TË GJITHË NË SHESH! Pa dallime. Pa përçarje. Për UÇK-në. Për sakrificën. Për lirinë. Zëri qytetar duhet të dëgjohet. Ora 21:00 | Sheshi “Skënderbeu” JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar ai.
Kuvendi i Kosovës ka mandat deri sonte në ora 24:00 dhe nëse nuk e zgjedh presidentin, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Organizatori i protestave të deritashme “në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Hagë”, Çlirim Haziri, ka bërë sërish thirrje për protestë gjithëpopullore për sonte ora 21:00 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Sipas njoftimit. protesta është ftuar për t’iu bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta miratuar në lexim të dytë projektligjin për Gjykatën Speciale.
“SONTE, TË GJITHË NË SHESH! Pa dallime. Pa përçarje. Për UÇK-në. Për sakrificën. Për lirinë. Zëri qytetar duhet të dëgjohet. Ora 21:00 | Sheshi “Skënderbeu” JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar ai.
Kuvendi i Kosovës ka mandat deri sonte në ora 24:00 dhe nëse nuk e zgjedh presidentin, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Avokati i PDK-së në procedurat kushtetuese, Faton Fetahu, ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të votohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë.
Fetahu ka thënë se interpretimi i Kurtit lidhur me Rregulloren e Kuvendit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 9 janarit 2026 është, sipas tij, juridikisht i paqëndrueshëm.
Sipas tij, afati prej 72 orësh përcaktohet nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit dhe lidhet me procedurën e përshpejtuar, por kjo nuk është e vetmja mundësi procedurale.
Fetahu është thirrur në nenin 123 të Rregullores, i cili, sipas tij, i mundëson Kuvendit të shmangë afatet procedurale me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur se ndërmjet dy leximeve duhet të kalojnë domosdoshmërisht 72 orë në çdo rrethanë. Ky afat i përket nenit 85. Ndërkaq, neni 123 ekziston pikërisht për t’i mundësuar Kuvendit shmangien nga afatet procedurale, me kusht që të ruhet shqyrtimi efektiv parlamentar”, ka deklaruar Fetahu.
Ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si Kurti iu referua ligjeve të miratuara më 5 dhjetor 2024, për të cilat Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje procedurale.
Fetahu, i cili kishte qenë avokat i autorizuar i PDK-së në ato procedura kushtetuese, tha se Gjykata nuk i kishte shpallur ato ligje jokushtetuese thjesht për shkak të mosrespektimit të nenit 85, por për mënyrën se si ishte përdorur neni 123 për shmangien e afateve.
Sipas tij, në rastin aktual situata është ndryshe, pasi materialet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, ndërsa leximi i parë është zhvilluar më 5 tetor.
Fetahu argumenton se, nëse Kuvendi miraton shmangien nga afatet sipas nenit 123 dhe u jep deputetëve e komisioneve kohë reale për shqyrtimin e amendamenteve dhe përgatitjen e raportit, projektligji mund të votohet në lexim të dytë edhe sot.
“Projektligji mund të shqyrtohet në lexim të dytë edhe sot, nëse ekziston vullneti parlamentar për ta zbatuar nenin 123 në përputhje me standardin që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Fetahu.
Ai e ka cilësuar si të pabazuar analogjinë me ligjet e vitit 2024, duke argumentuar se në atë rast procedurat parlamentare ishin zhvilluar brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërsa në rastin aktual, sipas tij, deputetët kanë pasur kohë për ta shqyrtuar materialin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së 5 tetorit, pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, hetuesit e IPK-së do të grumbullojnë informacione dhe prova për të vlerësuar nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me IPK-në, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të ndriçuar rastet ku dyshohet se është përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve të përcaktuara me ligj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestës”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë autorizon Inspektoratin Policor të Kosovës lidhur me veprimet policore të ndërmarra në protestat e datës 05.10.2026
Prishtinë 06.10.2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar hetuesit e IPK-së të ndërmarrin veprime paraprake për trajtimin e secilit rast që lidhet me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur më 05.10.2026 në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i autorizimit është grumbullumi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza doli sërish në konferencë për media, duke thënë se qëndrimi i kësaj partie është “konsistent” dhe çështja e Presidentit dhe ajo e miratimit të projektligjit për Gjykatën Speciale “nuk janë të ndërlidhura”.
Hamza tha se “lufta e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është veç e PDK-së”, ashtu si projektligji i propozuar. Ai tha se kryeministri Albin Kurti s’i ka bërë “asnjë favor” PDK-së.
“Unë konsideroj që nuk duhet që veç Partia Demokratike e Kosovës me folë për për mbrojtjen e një lufte të drejtë, të imponuar, çlirimtare, për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë politike”, tha ai.
Hamza tha se deklarata e përbashkët e miratuar në Kuvend nuk është veç e PDK-së.
“Ligji do, kërkon drejtësi. Drejtësi për njerëzit që janë në këtë proces”, tha ai, duke iu referuar kërkesës për miratimin përfundimtar të projektligjit për Gjykatën Speciale”, tha Hamza.
Ai tha për “katër hapat” që i përmendi Kurti, se “nuk ka rezultat final”.
“Katër hapa… Asnjë hap. Nëse s’ka rezultat final, nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet dhe përfundimisht, nuk ka, nuk prodhon efekt juridik”, tha ai.
Hamza tha se nëse ligji nuk miratohet përfundimisht dhe vendi shkon në zgjedhje, “ai kthehet nga fillimi”.
Kryeministri Albin Kurti tha se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk do bashkëpunim dhe takim me të.
Kurti tha se në takimin e mbrëmshëm kishin lënë mundësinë që të takoheshin sërish sot.
“Nga takimi i mbrëmshëm, e lamë mundësinë hapur që të takohemi edhe sot, por meqë kryetari i PDK-së, Hamza s’po do të takohet më me mua, unë po i drejtohem në këtë konferencë”, tha ai.
Kurti tha se pa takim nuk mund të ketë marrëveshje.
“Tash Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohemi”, tha ai.
Një takim i djeshëm në Kuvend mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza përfundoi sërish pa sukses
Jashtë Qeverisë po qëndrojnë edhe sot protestues, të cilët kërkojnë që të votohet përfundimisht projektligji që parasheh ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi ai u miratua dje paradite në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Mbrëmë protesta eskaloi pas ndërhyrjes së policisë për t’i mundësuar kryeministrit që të largohej nga Kuvendi, pas paralajmërimeve të protestuesve se s’do t’i linin zyrtarët të dilnin nga aty pa miratimin përfundimtar të projektligjit.
PDK-ja kërkon që projektligji të procedohet sa më shpejt për votim përfundimtar në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka njoftuar se ai ua ka përcjellë të gjitha grupeve parlamentare dhe, përkatësisht, secilit deputet ftesën për mbështetje dhe pjesëmarrje për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Tahiri, ka njoftuar se në rend dite parashihet vetëm një pikë, e që është miratimi në lexim të dytë të ligjit për specialen.
Ndryshe, deri më tani, këtë nismë të PDK’së e ka përkrahur Aleanca, dhe, Duda Balje.
Postimi:
Sot, si Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, u kam përcjellë të gjitha grupeve parlamentare dhe, përkatësisht, secilit deputet ftesën për mbështetje dhe pjesëmarrje për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Pika e vetme: shqyrtimi dhe miratimi në lexim të dytë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është shprehur i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi iu bashkua protestuesve që po kërkojnë miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Lushtaku tha se mosmiratimi i këtij projektligji, sipas tij, lidhet me interesat politike të pushtetit, ndërsa theksoi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por me shtetin e Kosovës. Ai shtoi se UÇK-ja nuk ka qenë pronë e individëve, por e popullit shqiptar.
“Kjo është fytyra e vërtetë e Albin Kurtit, i cili me mashtrime dhe rrena ka ardhur në pushtet dhe vazhdon kështu. Për karrigen e vet nuk e miraton një ligj që nuk është për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, por është për shtetin e Kosovës, gjakun dhe sakrificën jo vetëm të ushtarëve të UÇK-së, por të popullit. UÇK-ja nuk ka qenë e Hashim Thaçit e as e individit, por e popullit shqiptar. Po flas për shqiptarë, jo për këta që e kanë gjakun e përzier me gjakun e serbëve. Këtu ka polici që e kanë udhëhequr edhe mbrëmë, që ka ndodhur këtu. Njerëz që baballarët e tyre janë në Serbi, atje me emra dhe mbiemra”, tha ai.
Lushtaku foli edhe për praninë e Policisë së Kosovës gjatë protestës, duke akuzuar pushtetin për manipulim të policisë dhe përdorim të forcës ndaj protestuesve.
“Pushteti ka manipuluar Policinë e Kosovës. Veprimet kanë qenë të panevojshme, pasi protestuesit kanë qenë të qetë. Protestuesit janë së 18 ditë këtu dhe asnjë veprim negativ nuk e kanë bërë. Policinë nuk e shohim si armiq e as subjektet politike, por si kundërshtarë politikë po”, theksoi Lushtaku.
Në fund, i pyetur për zgjedhjen e presidentit të vendit, Lushtaku tha se për të më e rëndësishme është çështja e miratimit të ligjit.
“Nuk e di. Ne e kemi një kryetar partie që mund t’iu përgjigjet juve. Për mua, me rëndësi është ligji dhe nuk është me rëndësi, se a zgjidhet presidenti apo jo. Jo që s’kam dëshirë, se vendi është pa institucione”, tha Lushtaku.
Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka kërkuar nga deputetët e Vetëvendosjes, LDK-së dhe komuniteteve jo shumicë që t’i japin nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale që ligji të miratohet në lexim të dytë.
“U bëjmë ftesë VV-së, LDK-së dhe komuniteteve jo shumicë që të na i japin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme. Ne kërkojmë që ligji të aprovohet. S’ka arsye të mos aprovohet. S’ka pengesa ligjore as procedurale dhe nuk do të ketë pengesa politike, përveç nëse mungon vullneti politik nga subjektet tjera që ligji të mos aprovohet në lexim të dytë”, tha Hamza.
Ai theksoi se ky ligj, sipas tij, e tejkalon interesin e një partie politike dhe lidhet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“Është ligj që i kalon përmasat e PDK-së. Nuk është ligj për PDK-në, është ligj për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Është ligj që e kalon peshën dhe rëndësinë e një partie politike”, deklaroi ai.
Hamza tha se para procedimit të ligjit ka takuar liderët e partive politike dhe u ka kërkuar përkrahje, duke insistuar se PDK-ja nuk synon të pengojë drejtësinë, por të kërkojë drejtësi.
“Ne s’po duam ta pengojmë drejtësinë, po kërkojmë drejtësi. Ata janë të pafajshëm”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së u bëri thirrje partive politike dhe kryetares së Kuvendit që të mblidhen dhe ta miratojnë Ligjin për Specialen.
Ai foli edhe për protestat e zhvilluara në Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria që të mos kontribuojë në tensionimin e situatës.
“Iu bëj lutje partive politike, kryetares së Kuvendit, të vijnë në Kuvend dhe ta aprovojmë ligjin për Specialen. Edhe qytetarët po e kërkojnë një gjë të tillë. Ngjarjet që kanë ndodhur, s’do të donte t’i shihte askush, nuk janë të nevojshme. I bëj ftesë Qeverisë që të mos kontribuojë në tensionimin e qytetarëve. Jo dhunë joproporcionale ndaj atyre që janë duke protestuar. Mbrëmë kemi parë skena të papranueshme”, u shpreh Hamza
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë, duke kërkuar hetim urgjent për mënyrën e përdorimit të forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve.
Sipas KMDLNj-së, gjatë mbrëmjes së 5 tetorit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë pa paralajmërim ndaj protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe forcë fizike, të cilat ky institucion i vlerëson si joproporcionale me situatën.
“Gazi lotsjellës u përdorë në masë të madhe sikur që dhuna fizike ishte brutale ndaj një qytetari i cili kur u ushtrua dhunë ndaj tij nuk paraqiste asnjë rrezik për policinë dhe sigurinë. Policia intervenoi pa asnjë paralajmërim duke rrezikuar edhe kalimtarët e rastit , pleq , gra dhe fëmijë që nuk ishin protestues . Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar , në sasi të mëdha dhe në mënyrë joproporcionale” .
“KMDLNj ishte në vendin e ngjarjes deri në orët e vona dhe konstaton se përdorimi i dhunës ishte i panevojshëm dhe i shmangshëm”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNj-së, përshkallëzimin e situatës e ka nxitur ndërhyrja e Policisë, pas së cilës, sipas tyre, edhe një pjesë e protestuesve kanë shfaqur sjellje më agresive.
KMDLNj ka theksuar se përkrah të drejtën për protestë për aq kohë sa ajo zhvillohet në mënyrë paqësore dhe nuk ushtrohet dhunë ndaj të tjerëve. Në të njëjtën kohë, Këshilli ka kërkuar respektimin e lirisë së lëvizjes dhe të drejtës së deputetëve për të ushtruar mandatin e tyre pa presion.
“KMDLNj përkrah fuqishëm të drejtën e deputetëve që të votojnë në përputhje me mandatin e tyre, pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe krejtësisht sipas vullnetit të lirë që ua garanton ligji dhe mandati”, thuhet në reagim.
Këshilli ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të hetojë me urgjencë rastet ku dyshohet se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre duke përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve, qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit.
Po ashtu, KMDLNj ka propozuar që komisionet përkatëse parlamentare të thërrasin për raportim drejtorin e Policisë së Kosovës dhe ministrin e Punëve të Brendshme, lidhur me përgjegjësitë institucionale për situatën e krijuar.
Në reagim, KMDLNj ka kërkuar që Policia e Kosovës kriter kryesor të ketë zbatimin e ligjit dhe integritetin profesional, duke paralajmëruar kundër përdorimit të policisë si instrument dhune në zhvillimet politike.
Në fund, KMDLNj u ka bërë thirrje politikanëve që të gjejnë një zgjidhje politike, të ulin tensionet dhe të shmangin veprimet që mund të kontribuojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka folur sërish lidhur me rastin e djeshëm, kur disa protestues nuk e lejuan të dilte nga kuvendi, duke e kapur dhe duke e kthyer përsëri brenda objektit të kuvendit.
Ai, lidhur me këtë rast, deklaroi se personat që reaguan dje në atë mënyrë ndaj tij nuk e kanë në objektivë, por as në zemër, kauzën e UÇK-së.
“Sa i përket kauzës së UÇK-së, jam shumë i bindur se ata nuk e kanë në objektivë dhe as në zemër kauzën rreth UÇK-së, jo më shumë se unë, por as sa unë. Sepse tani veç disa prej këtyre sulmuesve janë identifikuar dhe i njoh, madje i njoh mirë. Njëri prej tyre, sipas informatave që kam marrë nga komandanti i asaj zone nga vjen personi, ka qenë një dezertor shumë i ulët”, deklaroi Rexhepi në tëvë1.
Më tej, ai deklaroi se ka qenë edhe vetë pjesëmarrës në disa protesta të organizuara në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Sepse unë edhe kam dalë vetë disa herë në këto protestat e fundit. Dhe kam dalë si qytetar i thjeshtë, as fotografi, as filma, as skena, sikur ata dje që bënin me mua. Protestat e vitit të kaluar që janë mbajtur në Prishtinë, edhe një në Tiranë, kam qenë edhe atje, edhe atje. Edhe para pesë ditësh, kur u mbajtën protesta në mbështetje të krerëve të UÇK-së në Hagë, në të gjitha komunat e Kosovës, kam qenë i thirrur si deputet në qytetin e Vitisë, prej nga vij, dhe edhe atje kam shkuar dhe kam marrë pjesë në protestë si deputet. Ka incizime dhe filmime të plota lidhur me këtë”, tha më tej ai.
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se deri në këto momente nuk kanë pranuar ftesë për seancë të Kuvendit.
“Ende jo”, tha Haradinaj.
Pas konferencës, ai konfirmoi se do të shkojë pranë protestuesve për t’i falënderuar, për siç tha, vetëdijen kombëtare.
Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë në lexim të dytë ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale
“Jemi në Kuvend, kanë mbetur edhe 11 orë. Si Aleancë, ju bëjmë thirrje kolegëve të vijnë dhe t’i kryejnë detyrat që na i ka dhënë populli. Populli që u bashkua me UÇK-në. Jemi një me çlirimtarët. Jemi me zemër me ju”, tha ai, duke i përshëndetur protestuesit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin Albin Kurti derisa deputetët e partisë së tij të pranojnë ta votojnë në lexim të dytë dryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
“S’ka takim. Nuk do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për Kosovën, ligji është domosdoshmëri. Nuk janë çështje të lidhura. Le të votohet ligji dhe pastaj jemi të hapur të diskutojmë për tema të tjera”, tha Hamza para gazetarëve.
Hamza tha se qëndrim i përbashkët i PDK-së është që të thirret seanca e Kuvendit dhe projektligji të hidhet në votim, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë pengesë procedurale, ligjore apo politike që kjo të ndodhë.
PDK-ja është iniciuese e ndryshimeve ligjore, të cilat u miratuan në lexim të parë më 5 tetor.
Hamza tha se iniciativa lidhet me atë që PDK-ja e konsideron padrejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar në Hagë.
“Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por ata janë njerëz të pafajshëm”, tha Hamza, duke e cilësuar gjetjen për ndërmarrje të përbashkët kriminale si “goditje për Kosovën”.
“Na dënohet historia, na dënohet e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë”, tha ai.
Më herët, partia e tij, përmes një postimi në rrjetet sociale, i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit që, siç tha, “mbron UÇK-në, çlirimtarët dhe historinë tonë”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas përleshjeve të mbrëmshme mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve në sheshin “Skënderbeu”, duke i cilësuar pamjet e krijuara si të dhimbshme.
Rama tha se institucionet duhet të garantojnë të drejtën e qytetarëve për protestë dhe se një incident i shkaktuar nga individë nuk duhet të përdoret për ta delegjitimuar një protestë të tërë.
“Protestuesit janë veteranët tanë, fëmijët e tyre dhe qytetarët e Kosovës. Kërkojnë drejtësi dhe mbajnë me krenari emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Rama.
Ai tha se pamjet e protestuesve të lënduar dhe atyre që morën trajtim në QKUK janë shqetësuese dhe kërkoi sqarim e përgjegjësi për zhvillimet e mbrëmshme.
“Pas secilës pamje është një njeri, një familje e shqetësuar, dikush që doli për të kërkuar drejtësi dhe përfundoi i shtrirë, i rrahur dhe i fyer nga policia e shteti i vet. Këto pamje kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi!”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar se ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj protestave dhe qytetarëve.
“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë”, shkroi Rama.
Duke iu referuar deklaratave të mëhershme të Kurtit për përdorimin e veturave të zeza nga zyrtarët, Rama tha se kryeministri dhe deputetët e tij mbrëmë u larguan nga sheshi me vetura të tilla.
“Albin Kurti dikur mbajke ligjërata për xhipat e zinj dhe bërtiste: ‘Pse po frikësoheni nga populli?’. Mbrëmë, ai dhe të gjithë deputetët e tij ikën nga ky popull me qata xhipa të zi!”, shkroi Rama.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos përdorin Policinë e Kosovës si përgjigje ndaj pakënaqësisë qytetare.
“Mos e ktheni policinë në përgjigje ndaj dështimit tuaj politik. Merrni përgjegjësi dhe gjeni zgjidhje. Mandati juaj është për të qeverisur për popullin, jo për ta sulmuar atë me forcë!”, tha Rama.
Në fund, ai theksoi se sheshet u përkasin qytetarëve dhe kërkoi që policia të mos përdoret kundër protestuesve.
“Mos e urdhëroni Policinë kundër popullit”, përfundoi Rama.
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu që të thërrasë “me urgjencë” një seancë plenare për “përmbylljen e miratimit të ligjit që mbron UÇK-në, çlirimtarët dhe historinë tonë”.
“Sot, institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa vonesë. Ky moment kërkon vendimmarrje në interes të shtetit dhe përmbushje të detyrimeve ndaj përpjekjeve të popullit tonë për liri”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.
PDK tha se e ka iniciuar këtë ligj pas takimeve dhe konsultimeve me të gjitha partitë politike shqiptare, “me bindjen se mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve është përgjegjësi e përbashkët shtetërore”. Ky ligj, PDK thotë se “është më i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, miratimi i tij kërkon unitet politik dhe përgjegjësi ndaj vendit”.
“Për PDK-në, prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime. Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme dhe t’i japë përgjigje kërkesës së qytetarëve për mbrojtje të denjë të çlirimtarëve. PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për miratimin e këtij ligji. Pengesë nuk paraqet as opinioni i vetë Qeverisë. Nuk ka as arsye politike që ky proces të mbetet i papërfunduar: nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë. Kjo kauzë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në pazar politik apo të përdoret për kushtëzime partiake. Mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve kërkon dinjitet, përgjegjësi dhe vendimmarrje”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, PDK e ka dënuar “ashpër dhunën joproporcionale të ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve”. Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm, thuhet në komunikatë.
“Protesta është e drejtë e çdo qytetari. Qytetarët kanë të drejtë të shprehin kundërshtimin ndaj vendimit në Hagë dhe të kërkojnë miratimin e ligjit në lexim të dytë. Kjo e drejtë duhet të respektohet dhe të mbrohet nga institucionet. PDK kërkon nga Qeveria, Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme të ndalin menjëherë veprimet e tyre jashtë rolit dhe kompetencave të tyre kushtetuese e ligjore dhe të mos e nxisin apo përdorin Policinë për ta shtypur me dhunë protestën dhe kërkesën e drejtë të qytetarëve. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë përdorimin e forcës joproporcionale që mbrëmë ka lënë të lënduar shumë qytetarë. PDK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për secilin qytetar të lënduar gjatë protestës në këtë kauzë kombëtare. PDK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës të gjitha rastet e evidentuara të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve. Kërkojmë hetim të plotë dhe llogaridhënie për përgjegjësinë në urdhërimin dhe zbatimin e këtyre veprimeve”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas dhunës që thotë se e ushtroi dje Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës.
OVL-UÇK e ka dënuar ashpër veprimin e Policisë, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se e kanë vendosur Policinë përballë veteranëve të UÇK-së.
“Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon ashpër dhunën e ushtruar dje nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës”.
Sipas OVL-UÇK-së, ajo që ka ndodhur përbën “njollë të rëndë” për institucionet e Kosovës.
“Ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet”.
OVL-UÇK thotë se plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar dhe ka akuzuar pushtetin se ka urdhëruar përdorimin e dhunës ndaj tyre.
“Plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar, ndërsa pushteti dje urdhëroi që mbi ta të ushtrohej dhunë nga uniforma e shtetit për të cilin luftuam”.
Organizata ka deklaruar se veteranët e UÇK-së nuk mund të nënshtrohen me mjete policore.
“Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla duhet ta dinë se veteranët e UÇK-së nuk janë njerëz që mund t’i nënshtrosh me shkopinj, gaz dhe uniforma policore”.
Në reagim, OVL UÇK ka paralajmëruar edhe përgjegjësi për ata që kanë urdhëruar dhe zbatuar veprimet e Policisë.
“OVL UÇK ua bën me dije se uniformat policore nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia”.
“OVL UÇK ua bën me dije se pushteti nuk ju jep të drejtën të shkelin mbi dinjitetin e veteranëve”.
Organizata ka kërkuar hetim të menjëhershëm për rastin.
“OVL UÇK kërkon përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave”.
Në fund, OVL UÇK ka kërkuar lirimin e dy personave që, sipas saj, po mbahen në paraburgim.
“Njëkohësisht, kërkojmë lirimin sa më të shpejtë të anëtarit të Kryesisë së OVL UÇK-së, Ekrem Selimit, dhe Fadil Zogajt, të cilët po mbahen në paraburgim nga organet policore”.
Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Në komunikatë thuhet edhe se, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
‘’ Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës’’, thuhet në njoftim.
Komunikata për media:
IPK monitoron reagimin policor gjatë protestës dhe fillon hetim paraprak për vlerësimin e veprimeve policore dhe përdorimit të forcës
Prishtinë, 10 tetor 2026
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në kuadër të mandatit ligjor dhe sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për realizimin e këtij monitorimi, IPK ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj të cilët kanë përcjellë nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.
Në ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.
IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.
IPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit.
Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka akuzuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, se në protestën e djeshme i dha urdhrat nga zyrat e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
Musliu tha se qytetarët u goditën natën me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore derisa po protestonin paqësisht.
“Gazmend Hoxha, nga zyrat e Grupit Parlamentar të VV-së, me urdhra politikë, Policia e Kosovës u përdor për të sulmuar qytetarët që po protestonin paqësisht. Kjo është e pafalshme! Tri javë protestë paqësore, pa incidente, dhe në vend të përgjigjes institucionale, qytetarët u goditën natën, në terr, me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore”, tha Musliu.
Deputetja e PDK’së më pas pyeti: “Kush e dha urdhrin? Kush e autorizoi këtë veprim? Kush vendosi që ndaj protestuesve paqësorë të përdorej kjo forcë?”.
Musliu tha se Inspektorati Policor i Kosovës duhet të reagojë menjëherë dhe të nisë hetim të plotë për zinxhirin komandues dhe urdhrat e dhënë.
“Ky nuk mund të mbetet një incident pa përgjegjësi. Mos e përdorni Policinë e Kosovës për urdhra politikë! Dëmi që po i bëhet besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës është i madh. Policia duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve, jo pushtetit politik. Pabesia në terr ndaj protestuesve paqësorë nuk mund të kalojë në heshtje. Duhet hetim. Duhet përgjegjësi”.
Përdorim cookies të domosdoshme që faqja të funksionojë. Me pëlqimin tuaj, përdorim edhe cookies analitike (Google Analytics, Histats) për të kuptuar si lexohet faqja.
Zgjedhjen mund ta ndryshoni kurdo te "Cilësimet e cookies" në fund të faqes.
Politika e cookies