Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Ardian Gola gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës shtroi edhe çështjen e aktgjykimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Gola tha se pretendimet e Dick Martyt, që janë miratuar nga ky institucion më 2011, nuk janë vërtetuar.
“Sa u përket dënimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përmendura në raport, duhet theksuar se pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar. Nuk pati krime kundër njerëzimit, nuk pati trafikim organesh dhe nuk pati “Shtëpi të Verdhë”, tha ai.
“Sa u përket akuzave të mbetura, ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë.
UÇK-ja u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes dhe zhvilloi një luftë të drejtë për ta çliruar popullin e Kosovës nga Serbia diktatoriale e Millosheviqit, e cila ishte vetë burimi i terrorit dhe i luftërave të përgjakshme në mbarë ish-Jugosllavinë.
Evropa duhet të mbetet vigjilente dhe të mos lejojë që barbaria e viteve ’90 të përsëritet, duke lejuar shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike” shtoi Gola.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu referuar krijimit të institucioneve, tha se Kosova po përballet me krizë të zgjedhjes së presidentit, por sipas tij, kjo duhet parë në kontekstin e anomalive kushtetuese.
“Është e pamohueshme se Kosova po përballet me një krizë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit. Kjo duhet parë në kontekstin e disa anomalive kushtetuese, disa prej të cilave burojnë edhe nga Pakoja e Ahtisaarit. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se dialogu politik vazhdon të zhvillohet brenda konturave demokratike, ku dhuna nuk gjen vend”, tha Gola.