Presidenca e Kosovës ka dhënë detaje nga takimi ndërmjet ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryesuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku është diskutuar për përgatitjet institucionale në kuadër të shpalljes së zgjedhjeve të reja.
Sipas Presidencës, në takim është theksuar rëndësia e përgatitjes në kohë të të gjitha veprimeve që lidhen me organizimin e procesit zgjedhor, “në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe standardet demokratike”.
Po ashtu, bëhet e ditur se Haxhiu ka vlerësuar rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e një procesi të rregullt, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës.
“Qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar vazhdimisht pjekuri demokratike dhe besim në procesin zgjedhor”, thuhet se deklaroi ajo.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar edhe për afatet ligjore, përgatitjet administrative, koordinimin ndërinstitucional dhe nevojën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa vonesa e me standarde të larta profesionale.
Takimi u mbajt një ditë pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues dhe Kosova detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Afati kushtetues 34 ditor për zgjedhjen e Presidentit ka përfunduar mbrëmë në orën 24:00. Gjykata Kushtetuese me aktgjykim ka përcaktuar që Kuvendi shpërndahet me automatizëm nëse brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti.
Haxhiu deklaroi se zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues. U.D. së presidentes tani i mbetet t’i ftoj partitë në takim për ta caktuar datën e zgjedhjeve brenda 45 ditësh.
E diela e 7 qershorit është data e fundit që mund të caktohet si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve.