Gjykatësi Charles Smith, i cili kryeson trupin gjykues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur të paraqesë përmbledhjen e aktgjykimit në seancën publike në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në fillim të përmbledhjes, Smith ka rikujtuar rrjedhën e procesit gjyqësor, i cili nisi më 3 prill 2023 dhe zgjati më shumë se tre vjet, deri në shpalljen e sotme të aktgjykimit të shkallës së parë.

Ai ka folur edhe për atmosferën në të cilën u zhvillua gjykimi, duke thënë se procesi u shoqërua me frikësim të dëshmitarëve.

Reklamë

Sipas Smithit, disa dëshmitarë u tërhoqën ose ndryshuan dëshmitë e tyre për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre dhe të familjarëve. Megjithatë, ai theksoi se shumë dëshmitarë dëshmuan, siç u shpreh, “me guxim dhe vendosmëri”.

Më pas, gjykatësi Smith ka kaluar te konteksti historik i çështjes, duke përmbledhur zhvillimet në Kosovë gjatë periudhës së përfshirë në aktakuzë dhe rrethanat në të cilat, sipas Prokurorisë, janë kryer krimet e pretenduara.

Në vijim, ai ka nisur të paraqesë të kaluarën dhe pozitat që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbanin gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Kjo pjesë e përmbledhjes së aktgjykimit fokusohet në rolet dhe funksionet e tyre brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës që mbulohet nga aktakuza.