×
Intervista

Ambasadori amerikan: Asociacioni nuk ka autonomi

Reporteri
09 Nëntor 2023 | 14:56

Adresimi para gazetarëve i Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier, rreth draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 

Cili është komenti juaj lidhur me kushtetutshmërinë e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Ambasadori Hovenier: Më vjen shumë mirë që pyetët për kushtetutshmërinë e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Siç e dini, draft-statuti është prezantuar nga BE-ja, por ShBA-ja ka qenë e pranishme dhe pjesë e saj. Bashkimi Evropian – dhe Shtetet e Bashkuara – konsiderojnë se është hartuar në mënyrë të tillë që respekton plotësisht kushtetutshmërinë e Kosovës. Më lejoni t’ua përkujtoj qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se çka do të duhej të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E kemi thënë shumë herë: duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e tanishme të Kosovës. Nuk do të duhej të ketë asnjë ndryshim kushtetues. Duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes. Duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që i kemi shprehur në artikullin e botuar në janar nga këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm dhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit, Gabriel Escobar. Ne besojmë se ky draft-statut që i është prezantuar qeverisë së Kosovës i plotëson gjitha këto kritere. I përmbush ato kritere. Ne besojmë se është – dhe është hartuar në mënyrë të tillë – që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, në të vërtetë është vetëm një organ që mund të vendosë nëse draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën apo jo. E kjo është Gjykata Kushtetuese dhe siç tha edhe kryeministri Kurti në Kuvend të premten, një nga dispozitat e këtij draft-statuti është se do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ashtu që ajo të shqyrtojë atë dhe të marrë vendim para se të hyjë në fuqi.

Prandaj, mendoj se shumë prej këtyre pyetjeve, komenteve e pothuajse histerisë për kushtetutshmërinë e draft-statutit na duken të jenë pavend sepse është bërë punë e kujdesshme në hartimin e këtij statuti dhe ka dispozita që sigurojnë se në Kosovë është një trup që ka aftësinë dhe autoritetin për të vendosur për kushtetutshmërinë e tij, Gjykata Kushtetuese, do ta ketë mundësinë që ta bëjë këtë para se të hyjë në fuqi.

Hovenier: Drafti i Asociacionit plotësisht në përputhje me Kushtetutën, s’ka kompetenca ekzekutive

Z. ambasador, a ka ndonjë afat kohor kur Kosova duhet ta zbatojë këtë statut? Dhe çka mendoni për të ashtuquajturën fshehtësi e këtij dokumenti sepse shumë njerëz po i kërkojnë qeverisë ta bëjë publik atë?

Ambasadori Hovenier: Më lejoni t’ia filloj me pjesën e fundit të pyetjes lidhur me fshehtësinë e ashtuquajtur. Nuk ka asgjë të fshehtë këtu, por negociatat diplomatike dhe angazhimet e ndjeshme ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverive shpesh bëhen me kusht të diskrecionit sepse kushtet e diskrecionit mundësojnë për të arritur mirëkuptim të përbashkët dhe avancim të çështjeve, qoftë nëse bëhet fjala për marrëveshjet në dialog, marrëveshjet në Rambuje, marrëveshjet sipas Ahtisaarit apo për shumë gjëra tjera. Ka çaste kur gjërat bëhen publike e ka çaste kur ka shkëmbim të vazhdueshëm konfidencial diplomatik përderisa punohet në përafrimin e dallimeve. Nuk ma merr mendja që dikush prej nesh kërkon falje për shkak të bisedimeve konfidenciale apo diskrete me qeverinë e Kosovës për një çështje kaq të ndjeshme. Në një kohë të përshtatshme publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë draft-statutin. Ajo kohë – ashtu siç do të duhej të jetë – do të përcaktohet bashkërisht nga qeveria e Kosovës dhe Miroslav Lajçaku.

Sa i përket vetë afatit kohor, nëse e lexoni deklaratën e kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë, e më lejoni të ndalem e të them se është e jashtëzakonshme që këta liderë kaq të lartë evropianë po përfshihen drejtpërdrejt në këtë proces për ta ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën evropiane, euroatlantike e të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që është për të mirën e popujve të dy vendeve, por veçanërisht të popullit të Kosovës. Ata përdorin fjalët si urgjent, sa më shpejtë të jetë e mundur e gjëra të tilla. Ka urgjencë, ka dëshirë të shihet që çështja të ecë shpejt dhe kjo është pjesë e bisedave tona me qeverinë tash. Nuk ka arsye përse qeveria e Kosovës të mos ecë përpara me këtë draft-statut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi vetëm disa javë më parë. Gjithashtu, jemi duke punuar për të parë të bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e as nuk mund të jetë. Ka të bëjë me zbatimin e plotë dhe në tërësi të të gjitha detyrimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë me Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të Ohrit. Dhe këtë duam ta shohim.

Z. ambasador, meqenëse draft-statuti nuk është bërë akoma publik, po interpretohet si një lloj autonomie për serbët në veri. A do të mbështesin Shtetet e Bashkuara ndonjë autonomi?

Ambasadori Hovenier: Para së gjithash, më duhet të them se më habitin njerëzit që interpretojnë një draft-statut që nuk e kanë parë. Është një truk mjaft mbresëlënës. Në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë statutin nuk kanë as bazë të mjaftueshme që të japin mendime për këtë draft-statut. Mund të them se çfarë kam thënë më herët. SHBA-ja beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës; duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të jetë një shtresë e re e pushtetit; nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk e shoh se si mund të keni autonomi në këto rrethana. Nuk keni. Besoj fuqishëm se ky draft-statut që i është prezantuar qeverisë së Kosovës është në përputhje me këto kritere që i përmenda. Por, siç e thashë, pika e fundit, organi përgjegjës që është kështu dhe organi i vetëm që mund të vendosë për kushtetutshmërinë e draft-statutit është Gjykata Kushtetuese. E në draft-statut, siç e ka thënë edhe kryeministri, ka dispozitë për të siguruar që draft-statuti të shqyrtohet dhe të ndërmerret veprim lidhur me të para se të hyjë në fuqi. Prandaj, nuk mendoj se ka arsye për shqetësim.

Interpretimet se drafti i ri ofron autonomi për serbët në veri, Hovenier: Si mund ta thotë këtë dikush që as që e ka parë, fjalën e fundit e ka Kushtetuesja

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!