×
  • Lajme
  • Lajme / Asociacioni

    Interpretimet se drafti i ri ofron autonomi për serbët në veri, Hovenier: Si mund ta thotë këtë dikush që as që e ka parë, fjalën e fundit e ka Kushtetuesja

    Reporteri
    09 Nëntor 2023 | 10:57

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media ka folur për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga pesëshja perëndimore më 21 tetor.

    Hovenier e përsëriti se ky draft është përpiluar që të jetë në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Megjithatë, Hovenier tha se është Gjykata Kushtetuese që do ta thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë draft-statut.

    I pyetur nga gazetarja e Gazetës Online Reporteri.net në lidhje me interpretimet se ky draft ofron një lloj autonomie për serbët në veri, ndonëse ende nuk është bërë publik, Hovenier tha se nuk e kupton se si mund të bëhen interpretime të tilla, kur drafti ende nuk është bërë publik.

    “Para së gjithash, më duhet të them se më habitin njerëzit që interpretojnë një draft-statut që nuk e kanë parë. Është një truk mjaft mbresëlënës. Në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë statutin nuk kanë as bazë të mjaftueshme që të japin mendime për këtë draft-statut. Mund të them se çfarë kam thënë më herët. SHBA-ja beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës; duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të jetë një shtresë e re e pushtetit; nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk e shoh se si mund të keni autonomi në këto rrethana. Nuk keni. Besoj fuqishëm se ky draft-statut që i është prezantuar qeverisë së Kosovës është në përputhje me këto kritere që i përmenda. Por, siç e thashë, pika e fundit, organi përgjegjës që është kështu dhe organi i vetëm që mund të vendosë për kushtetutshmërinë e draft-statutit është Gjykata Kushtetuese. E në draft-statut, siç e ka thënë edhe kryeministri, ka dispozitë për të siguruar që draft-statuti të shqyrtohet dhe të ndërmerret veprim lidhur me të para se të hyjë në fuqi. Prandaj, nuk mendoj se ka arsye për shqetësim”, tha Hovenier.

    Hovenier tha se në një kohë më të përshtatshme, dokumenti do të bëhet publik.

    “Sa i përket vetë afatit kohor, nëse e lexoni deklaratën e kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë, e më lejoni të ndalem e të them se është e jashtëzakonshme që këta liderë kaq të lartë evropianë po përfshihen drejtpërdrejt në këtë proces për ta ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën evropiane, euroatlantike e të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që është për të mirën e popujve të dy vendeve, por veçanërisht të popullit të Kosovës. Ata përdorin fjalët si urgjent, sa më shpejtë të jetë e mundur e gjëra të tilla. Ka urgjencë, ka dëshirë të shihet që çështja të ecë shpejt dhe kjo është pjesë e bisedave tona me qeverinë tash. Nuk ka arsye përse qeveria e Kosovës të mos ecë përpara me këtë draft-statut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi vetëm disa javë më parë. Gjithashtu, jemi duke punuar për të parë të bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e as nuk mund të jetë. Ka të bëjë me zbatimin e plotë dhe në tërësi të të gjitha detyrimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë me Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të Ohrit. Dhe këtë duam ta shohim”, ka thënë ai. /Reporteri.net/

    Hovenier: Drafti i Asociacionit plotësisht në përputhje me Kushtetutën, s’ka kompetenca ekzekutive

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!