×
  • Lajme
  • Lajme

    10 të arrestuar dhe 61 mijë euro të sekuestruara bashkë me 8 vetura, krejt çka ndodhi në aksionin e sotëm në Shtërpcë

    Reporteri
    21 Dhjetor 2021 | 21:08

    10 persona janë arrestuar në aksionin e Policisë së Kosovës në Komunën e Shtërpcës, për shkak të ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar në zonën e Brezovicës. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit dhe disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave.

    Ata janë arrestuar për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Lidhur me këtë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari bashkë me prokurorin e çështjes Rasim Maloku, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, kanë dhënë detaje për aksionin e zhvilluar sot.

    Në konferencë u tha se nga ky aksion janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si: dollarë, franga zvicërane, lekë etj. Përveç kësaj në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona.

    Kryeprokurori Jashari tha se gjatë aksionit janë bastisur 11 lokacione, në Ferizaj, Prishtinë dhe Shtërpcë.

    “Janë sekusetruar para, armë vetura, dokumente. Janë bastisur dy zyre të kuvendit komunal të Shtërpcës si ajo e katastrës dhe urnbanizmit. Janë ndaluar ish -kryetari i komunës së Shtëprcës, drejtori I gjeodezisë dhe urbanizimit, inspektorë komunal pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë, për kepqërdorim të detyrës zyrtare marrje dhe dhënië të ryshfetit”, tha Jashari.

    Ndërsa, prokurori Rasim Maloku tha se në këtë çështje askush s’do të jetë i paprekshëm.

    “Hetimet në vitin 2019, është ngritë një aktakuzë ndaj 10 personave, në vitin 2020 kemi filluar hetim të ri ndaj 10 personave, tani kemi zgjedhur hetimin edhe ndaj personave tjerë nën dyshimin për korrupsion, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi etj. Në këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur”, tha ai.

    Për këtë aksion ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm, por shkelësit e ligjit, shkruan Reporteri.net.

    “Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës. Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

    Siç raportoi sot edhe Gazeta Online Reporteri.net, në mesin e të arrestuarve është edhe ish kryetari i Shtërpcës Bratislav Nikoliq.

    Kjo nuk është hera e parë kur Nikoliq u përballë me akuza të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Me 29 dhjetor të 2015, asokohe kryetar i Shtërpcës, Nikoliq dhe zyrtari komunal i prokurimit, Agim Rexhepi, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!