×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    15 orë të frikshme lufte për jetë: Babai mbahej pas motorit të prishur të ujit ndërsa fëmijët notonin në ferrin e detit

    Reporteri
    16 Gusht 2026 | 12:14

    Një pushim familjar në Tajlandë për pak sa nuk u shndërrua në tragjedi, pasi një shtetas francez dhe dy djemtë e tij të mitur kaluan plot 15 orë duke luftuar për jetën në det të hapur, pas prishjes së motorit të ujit (jet-ski) me të cilin po lundronin.

    Ngjarja sipas Nationthailand.com ndodhi në ishullin e njohur turistik Ko Samui, në provincën Surat Thani. Brahim Terki, 50 vjeç, së bashku me dy djemtë e tij të moshës 9 dhe 12 vjeç, kishin marrë me qira një jet-ski rreth orës 17:00 në plazhin Chaweng për një xhiro 30-minutëshe, përcjell Reporteri.net.

    Si nisi drama?
    Kur koha e marrjes me qira skadoi, stafi i kompanisë në breg u dha sinjal me flamur që të ktheheshin, por mjeti lundrues nuk u kthye. Duke dyshuar për një defekt në motor, kompania dërgoi menjëherë mjete të tjera në kërkim të tyre, ndërsa më pas në operacion u përfshinë edhe shërbimet e shpëtimit dhe anëtarët e klubit lokal të jet-skive me gliserë.

    Kërkimet vazhduan gjatë orëve të vona të natës në kushte të vështira. Pas mesnatës, operacioni u pezullua përkohësisht për shkak të errësirës dhe pamundësisë së lëvizjes në det, për t’u rifilluar sërish me zbardhjen e dritës.

    Momenti i shpëtimit: 15 orë në ujë të ftohtë
    Të premten në mëngjes, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën t’i lokalizojnë të tre në det të hapur, shumë larg nga bregu.

    Sipas dëshmive të shpëtimtarëve, skena ishte dramatike. Djali 9-vjeçar po qëndronte i ulur mbi jet-skinë e fikur, babai po mbahej fort pas pjesës anësore të mjetit për ta mbajtur në ekuilibër, ndërsa djali 12-vjeçar po notonte në ujë pranë tyre.

    Të tre kishin të veshur jelekët e shpëtimit, çka rezultoi vendimtare për mbijetesën e tyre gjatë natës mes dallgëve dhe rrymave detare.

    Ata u ngjitën në një gliser dhe u dërguan me urgjencë në breg, ku u pritën mes lotësh e lehtësimi nga nëna dhe motra e tyre e madhe, të cilat kishin pritur në plazh gjatë gjithë natës. Të tre u transportuan menjëherë në spital për kontrolle mjekësore, ndonëse jashtë rrezikut për jetën.

    Reagimi i autoriteteve dhe masat e reja të sigurisë
    Kreu i distriktit Ko Samui, Amorn Chumchuay, deklaroi se shkaku fillestar dyshohet të jetë një defekt teknik në motor, pas të cilit rrymat e forta detare e kanë tërhequr mjetin thellë në det.

    Pas këtij incidenti të rëndë, autoritetet lokale kanë urdhëruar, përcaktimin e rreptë të zonave të lundrimit. Turistët do të lejohen të lëvizin vetëm brenda perimetrit ku mbeten të dukshëm nga bregu.

    Ndalimin e qiradhënies para perëndimit: Kompanitë nuk do të lejohen më të japin jet-ski me qira në orët e vona të pasdites kur afrohet errësira.

    Të gjitha mjetet lundruese me qira do të duhet të pajisen me pajisje për gjurmimin e vendndodhjes në kohë reale, në mënyrë që në rast defekti të lokalizohen menjëherë nga shërbimet e emergjencës. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!