×
  • Lajme
  • Lajme

    2900 prona të kryeqytetit shfrytëzohen pa kontrata, komuna e Prishtinës se ka dert këtë punë

    Reporteri
    26 Prill 2019 | 19:57

    Autor: Gentrit Dibrani 


    Pronat e uzurpuara janë një problem serioz për komunën e Prishtinës, problem ky që nga vitet e pas luftës e deri më sot. Derisa, komuna shpesh ankohet për mungesën e hapësirave të mjaftueshme për ndërtimin e ndonjë shkolle apo çerdheje.


    Zyrtarë të Komunës së Prishtinës të pyetur nga Reporteri për numrin e saktë të pronave të uzurpuara, kanë deklaruara se nuk e dinë sa prona të tilla janë në total në kryeqytet.

    Bazuar në dokumentin për listën e pronave të kësaj komune, nga gjithsej 6183 prona të regjistruara në kadastër, 2900 prej tyre shfrytëzohen pa kontratë, ndërsa vetëm 723 prona të kësaj komunës së Prishtinës shfrytëzohen me kontratë. E për 2560 prona tjera nuk tregohet nëse shfrytëzohen me apo pa kontratë.

    Të pyetur nga Gazeta Online “Reporteri.net” se si t’ju referohemi pronave të cilat shfrytëzohen pa kontratë, Komuna e Prishtinës nuk kanë dhënë përgjigje, por kanë sugjeruar që vetëm si të uzurpuara mos t’ju referohemi këtyre pronave.

    “Nuk kemi numër të saktë për pronat e uzurpuara, por çka mundeni me nxjerrë prej asaj liste nxjerrni, mos ju refero si prona te uzurpuara atyre që shfrytëzohen pa kontratë”, kanë thënë për Reporteri.net nga zyra për Marrëdhënie me Publik e Komunës së Prishtinës.
    Tutje ata kanë thënë që nuk i dërgojnë në gjykatë rastet e pronave të uzurpuara, por provojnë ti zgjedhin vetë. E rezultatet nuk tregojnë për ndonjë arritje të lartë pasi që pothuajse gjysma e pronave të kësaj komune shfrytëzohen pa kontratë, e që i bie se janë të uzurpuara.

    “Nuk e di sa prona të uzurpuara janë liruar, në nuk i dërgojmë në gjykatë por merremi vetë me palët”, thane zyrtarë nga Drejtoria për Kadastër në Komunën e Prishtinës.
    Shumica e pronave të shfrytëzuara pa kontratë janë komplekse banesore, numri i të cilave është i lartë.

    Vetëm një rast në lagjen Dardania një kompleks banesor shfrytëzon 15 mijë metra katrorë pa lejen e komunës. I njëjti pronarë shfrytëzon për një kompleks tjetër banesorë 10, 000 m2, po ashtu pa kontrate. Edhe një hapësirë prej 4, 000 m2 për parking, del të jetë në pronësi të të njëjtit. Pra, 29 mijë m2 shfrytëzohen pa marrëveshje me komunën e Prishtinës vetëm për 2 komplekse banesore dhe një parking në lagjen Dardania, nga i njëjti pronarë.

    As lagjet tjera të Prishtinës nuk qëndrojnë më mirë

    Hotel ‘Sirius’, që gjendet në rrugën ‘Agim Ramadani, sipas këtij dokumenti, e shfrytëzon pa lejen e komunës, hapësirën publike prej 400 m2, ose në kaq hapësirë është e ndërtuar një pjesë e objektit.

    Po në këtë rrugë në Zonën e Qendrës, 60 m2 tokë e komunës janë e zënë nga ‘Hamburger Jeta’. Një objekt banesorë ka zënë hapësirën prej 1500 m2, pa lejen e Komunës. Edhe fakulteti ekonomike, juridik janë të shtrirë në tokë komunale pa marrëveshje, shkruan Reporteri.net.

    Përveç shfrytëzuesve privatë të pronave të komunës janë edhe ndërmarrje shtetërore si KEK-u i cili ka në shfrytëzim një hapësirë prej 4000 m2 pa marrëveshje me komunën. Edhe Termokosi 1000 m2 i ka në shfrytëzim pa kontratë.

    Me të ardhur në pushtet, Shpend Ahmeti dërgoi disa dosje në Prokurori, të njohura si “dosjet e Isa Mustafës”, por pronat e uzurpuara nuk i dërgoi në Gjykatë, ani pse të dhënat zyrtare që bëri administrata nën udhëheqjen e tij nxorën mijëra sosh të shfrytëzuara pa pëlqimin e Komunës.

    Edhe më tutje një numër i lartë i pronave të kryeqytetit vazhdojnë të jenë të uzurpuara që as Komuna nuk e di saktë numrin e tyre. /Reporteri.net/.

    Listën e plotë e gjeni duke klikuar këtu…

     

     

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!