Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, janë në mesin e 41 liderëve evropianë që kanë mbështetur një deklaratë të përbashkët për luftimin e migracionit të paligjshëm drejt dhe përmes Evropës.
Deklarata është publikuar nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Italia, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i mbajtur më 12 nëntor në Dublin.
Në dokument, liderët kanë riafirmuar përkushtimin për të ulur migracionin e paligjshëm, duke e cilësuar atë si një sfidë të përbashkët për vendet evropiane.
Ata kanë theksuar se, përballë paqëndrueshmërisë globale, kërcënimeve hibride dhe shfrytëzimit të personave të cenueshëm nga rrjetet e trafikimit të migrantëve, nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar përgjatë të gjitha rrugëve të migracionit.
Në deklaratë janë përcaktuar disa fusha kryesore ku kërkohet bashkëpunim më i madh ndërmjet shteteve.
Forcimi i kufijve dhe luftimi i dezinformimit
Një nga prioritetet e përmendura është forcimi i sigurisë kufitare përmes sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të cilat do të ndihmonin në parashikimin dhe menaxhimin e flukseve të migracionit, si dhe identifikimin e rreziqeve të reja të sigurisë.
Liderët kanë vënë theks edhe te luftimi i drejtpërdrejtë i dezinformimit, duke kërkuar që shtetet të ekspozojnë rreziqet e kalimeve të paligjshme të kufijve dhe të kundërshtojnë narrativat e rreme.
Një tjetër pikë e deklaratës është zhvillimi i zgjidhjeve inovative dhe harmonizimi i përpjekjeve ndërmjet partnerëve evropianë për të përballuar sfidat e migracionit.
Bashkëpunim me vendet e origjinës dhe kthimi i migrantëve
Në dokument kërkohet gjithashtu bashkëpunim më i madh me vendet e origjinës dhe tranzitit të migrantëve, me synimin që njerëzit të kenë më shumë mundësi dhe siguri pranë vendeve të tyre, duke parandaluar udhëtimet e rrezikshme drejt Evropës.
Kjo qasje, sipas deklaratës, duhet të përfshijë zhvillimin e aftësive profesionale, krijimin e vendeve të punës dhe partneritete me përfitime të ndërsjella.
Liderët kanë kërkuar edhe forcimin e mekanizmave për kthimin dhe ripranimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Evropë, duke theksuar se këto procese duhet të realizohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Një tjetër objektiv është shkëmbimi më i lehtë dhe sistematik i informacionit ndërmjet shteteve, në mënyrë që të luftohen më efektivisht rrjetet kriminale të trafikimit të migrantëve.
Riafirmohet rëndësia e konventave ndërkombëtare
Përveç masave për parandalimin e migracionit të paligjshëm, liderët kanë theksuar edhe rëndësinë e vazhdimit të mbrojtjes së të drejtave të refugjatëve dhe garantimit që konventat ndërkombëtare të jenë në gjendje t’u përgjigjen sfidave të sotme të migracionit.
Në këtë kontekst, ata kanë përmendur 75-vjetorin e miratimit të Konventës për Refugjatët, si dhe Deklaratën e Kishinauit të majit 2026 për Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe migracionin.
Gjithashtu, është riafirmuar mbështetja për punën e UNHCR-së, Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Në përfundim, liderët janë pajtuar që të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, ndërsa çështja e migracionit pritet të rikthehet në diskutim në Samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Zvicër.