Sfera gjigante e Vitit të Ri në Times Square është ulur këtë herë më afër vizitorëve, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër shkëlqimin e saj.
Në ndërtesën One Times Square, kompania Waterford prezantoi kristalet e modelit të vitit 2026, pjesë e traditës që prej më shumë se 25 vitesh shoqëron ndërrimin e viteve në Nju Jork.
Sfera përmban 5 mijë e 280 kristale. Për vizitorët, një kujtim i veçantë është edhe mundësia për të marrë me vete një kristal nga modelet e mëparshme të sferës.
“Ne duam që njerëzit të kenë një kujtim nga koha e kaluar këtu, nga festimi dhe emocionet e përjetuara. Misioni ynë është t’u japim shkëlqim momenteve të përditshme dhe ngjarjeve të veçanta”, tha drejtoresha e Waterford, Bentley Hardwick.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe mjeshtëria e gdhendjes së kristalit, e demonstruar nga irlandezi Richard White, i cili prej 48 vitesh punon për Waterford.
Ai e cilësoi një nder të veçantë mundësinë për ta parë nga afër sferën që prej dekadash simbolizon ardhjen e Vitit të Ri.
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar që ndodhem këtu. Gjithmonë e kemi parë me krenari momentin kur bie sfera e Vitit të Ri, duke ditur se është prodhuar në Waterford. Ta shoh tani nga afër është një nder i madh për mua”, tha mjeshtri i gdhendjes së kristalit, Richard White.
Ndërsa përgatitjet për festat vijojnë, Waterford konfirmon se dizajnet e kristaleve për sferën e vitit 2027 janë përfunduar dhe do të prezantohen në dhjetor.