Zëvendësi i Liburn Aliut në Ministrinë e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka folur lidhur me dorëheqjen e Aliut, pas zgjedhjes së Dimal Bashës Kryeparlamentar.
Durmishi ka thënë se s’ka qenë në dijeni për këtë vendim, duke shtuar se Aliu s’është as deputet e as anëtar i Kryesisë së VV’së.
“Nuk e di, pyetni Liburn Aliun për këtë çështje. Liburn Aliu nuk është deputet. Nuk ka qenë as kandidat për deputet. Nuk është anëtar Kryesie në Vetëvendosje. Do të thotë vendimet në Lëvizjen Vetëvendosje merren në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. është mënyra se si funksionon një organizatë politike. Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi. Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”- ka deklaruar Durmishi, kur është pyetur nga Kallxo.com, se a do të thotë ky vendim i Aliut që është fundi i tij në Vetëvendosje.
Njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, dha sot dorëheqje si Ministër.
Aliu, përmes një postimi në Facebook, tha se dorëheqjen e ka dorëzuar sot te Kurti.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Aliu.
Ai tha se zgjedhja e Bashës në krye të institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.
Kryeministri në detyrë, e as ZKM ende nuk ka kanë dalë me ndonjë deklaratë rreth kësaj dorëheqje./Reporteri.net