×
  • Lajme
  • Lajme

    A gënjeu Pjetër Ndrecaj se nuk e dinte që e kishte vrarë vajzën e tij? Flet vëllai i Valbonës

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 14:57

    Vrasja e dyfishtë që ndodhi në Gjakovë vitin e kaluar kur Pjetër Nrecaj la të vdekur vajzën e tij 9-vjeçare dhe gruan Valbona Markun tronditi opinionin. 40-vjeçari për veprën është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërkaq, nga burgu i sigurisë së lartë ka dërguar edhe disa mesazhe përmes një interviste nga ku është shprehur se nuk e ka vrarë të bijën por vetëm gruan duke hedhur dyshime mbi procesin gjyqësor. Të gjitha këto akuza i mohojnë në familjen Marku në një intervistë ata flasin për dhunën që tash e sa vite po përjetonte Valbona.


    Shtëpia ku mbrëmjen e 7 gushtit ndodhi vrasja makabër e Valbona Markut e vajzës së saj, Klarës 9-vjeçe ka mbetur e zbrazët.

    Përveç vrimave nga plumbat që kanë mbetur dëshmitarë të vrasjes së dyfishtë, askush nga familja Marku nuk ka vazhduar jetesën në dikur shtëpinë e tyre në Brekovc të Gjakovës.

    Jetesa për familjen e Valbonës e për fëmijët e saj nuk ishte e sigurt më në atë vend, kështu ata zgjodhën largimin në këmbim të sigurisë.

    Për vrasjen që tronditi Kosovën prapa grilave për tërë jetën do të qëndrojë, 40-vjeçari Pjetër Ndrecaj, ish-burri i Valbonës e babai i Klarës 9-vjeçare.

    Nga qelia pas vendimit të Gjykatës së Apelit ai ka dhënë edhe intervistë duke shprehur dyshime për rastin, e duke thënë se vajzën e tij nuk e kishte vrarë ai. Madje, Ndrecaj deklarohet se është penduar për veprën që ka bërë e se dënimi i Apelit është i padrejtë.

    Mirëpo, ai drejt të cilit Ndrecaj drejton akuza të rënda, Shkelzen Marku duke folur ekskluzivisht për Gazetën Express deklarohet se ngjarja nuk kishte rrjedhur ashtu si kishte rrëfyer për Klanin Ndrecaj.

    Marku po thotë se të gjitha provat të cilat i kishte prokuroria ishin të mjaftueshme për të vënë dënim maksimal për Ndrecajn pasi që ai vetë kishte kryer të dy vrasjet.

    Teksa Pjetër Ndrecaj tregon nga burgu i sigurisë së lartë se sa jetën e mirë e kishte gruaja e tij, Valbona të cilën e kishte dërguar në vende të ndryshme të Kosovës për në vizitë e madje edhe në bregdet, në familjen Marku thonë se te çifti kishte kohë që kishte konflikt, e për këtë Pjetër Ndrecaj kishte mbajtur edhe burg në maj të 2018-tës, pak muaj para vrasjes.

    Shkëlzen Marku  është deklaruar se ditën kur ka ndodhur rasti kritik, në familjen e tij ishin 12 dëshmitarë të cilët e dinë mirë se çka ka ndodhur, e sipas tij po të mos ishte ai do të kishte edhe më shumë të vrarë.

    Vëllai i Valbonës thotë se  vajza tashmë e ndjerë, ishte në krah të nënës së saj kur Pjetër Ndrecaj ka qëlluar në drejtim të tyre.

    “Janë gjujtë me një armë të dy personave, shenjat e gishtërinjve janë të tij, arma është gjetë larg shtëpisë tonë kur ka ardh policia. Vajzës iu është bërë autopsia edhe shkaktar i vrasjes janë plumbat që ka marrë në kokë dhe në krah. S’ka pas ndonjë lëndim tjetër”, thotë ai duke rrëfyer se vajza nga plaga që mori në kokë ndërroi jetë ende pa arritur në spital.

    Ndrecaj në anën tjetër ka thënë se dy ditë më vonë ka marrë vesh se kishte vrarë edhe vajzën, duke u shprehur se ishin tre persona që kanë gjuajtur me armë atë natë.

    “Vajzën mu ka bë padrejtësi se unë kam dëgju pas 2 ditëve në Gjykatë, Unë as në Valbonën sjam kanë tu gjujt kam shku me marrë” “ Jam në dyshim se kanë qenë tri gjuajtje ndaj meje. Ajo vajzë në atë vend ku është bërë shkrepja nuk ka pas ka qenë vetëm Shkëlzen Marku, nëna e Valbonës edhe Valbona, unë kam gjet në drejtim të Shkëlzenit e ajo ka dal përpara”, tha Nrecaj.

    Tutje, ai ka thënë se ishin familja e Valbonës ajo që nga fillimi kishin tentuar që t’i ndanin. Duke përmendur edhe një rast kur sipas Nrecajt vëllai i saj kishte tentuar ta marrë edhe në Gjermani atë së bashku me fëmijët, por, që 40-vjeçari nuk e kishte lejuar këtë.

    “Na kemi pas jetën shumë të mirë, në familje temën ska pas dhunë, ka ndodh shumë në kohë të shkurtër brenda muajit ma ka pru këtë tragjedi Shkelzen Marku, bashkë me motrat e sajna. Mu më ka kërku duhesh me ma lanë grunë në Gjermani, unë me pesë fëmijë kryefamiljar unë nuk ju kam përgjegj po nuk ekiziston shanca me marrë grunë. Ti smundesh me kanë diktator smundesh me vendos më ka thënë këtu na ka hy konflikti, ka qenë shumë kohë e shkurtë”, është deklaruar Nrecaj.

    Por, sipas familjes Marku ishte vetë Nrecaj ai që pas vrasjes kishte ikur për në shtëpinë e një të njohurit të cilit i kishte treguar se kishte vrarë gruan edhe vajzën, e dyshonte se mund të kishte vrarë edhe një person tjetër.

    Marku po thotë se frika në familjen e tyre kishte filluar kur në maj të vitit të kaluar i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj motrës dhe për këtë ai kishte mbajtur edhe burg.

    Kështu kur motra e tyre Valbona veçse ishte ndarë nga burri e po qëndronte në shtëpinë e vëllezërve, Shkelzen Marku i kishte propozuar që për një kohë për t’i ikur konfliktit të largohen nga Kosova.

    Marku po thotë se Pjetër Nrecaj e kishte rrahur brutalisht Valbonën derisa kishte qenë i pirë, madje dhe kishte vazhduar me kërcënime të vazhdueshme.

    “Pjesa ku unë kam përmend ka qenë masi kanë ndodhë këto probleme kam kërkuar me ikë ni kohë për me u qetësu situata. Kjo ska qenë bisedë me Pjetrin. Motra është largu për 2-3 javë kam kërkuar është e vërtetë se kam dasht ajo me u qetësu se ka qenë tan kohën e mërzituer se s’ja ka lanë fëmijët me i pa një kohë masanej ja ka pru ni javë para se me ndodh ngjarja i ka lanë të tre vajzat”, shton tutje.

    Përderisa Nrecaj vë në dyshim procesin gjyqësor që është bërë ndaj tij, familja Marku ka marrë në përkujdes fëmijët, e thonë se askush nga familja Nrecaj nuk është interesuar për ta që kur rasti tragjik ka ndodhur.

    40-vjeçari Pjetër Nrecaj është dënuar me burgim të përjetshëm nën akuzat për vrasje të dyfishtë.

    Si kishte ndodhur ngjarja?

    Mbrëmjen e 7 gushtit të 2018-tës, Pjetër Nrecaj vrau me armë zjarri gruan dhe vajzën e tij 9’vjeçare në fshatin Brekoc të Gjakovës, derisa viktima, Valbona Marku, po qëndronte në shtëpinë e vëllezërve së bashku me fëmijët.

    40 vjeçari, Nrecaj e pranoi krimin para trupit gjykues, e për atë vepër e armë mbajtje pa leje u dënua me 25 vite burg.

    Kjo deri në vendim të  Gjykatës së Apelit që të njëjtin pak kohë më vonë e dënoi me burgim të përjetshëm.

    Valbona Marku Nrecaj kishte duruar për shumë vite dhunën nga bashkëshorti i saj, Pjetri, deri në gushtin e vitit të kaluar kur ajo do të vendoste të ikte në shtëpi të vëllezërve.

    Veprimi i asaj acaroi edhe më shumë bashkëshortin, që në shtëpinë e vëllezërve të tashmë të ndjerës do të shkonte i armatosur e nga aty do linte të vdekura përveç gruas edhe vajzën e tij Klarën 9-vjeçare.

    Se kishte kryer krimin 40-vjeçari e pranoi edhe para gjykatës, duke shtuar se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht, e për të njëjtën vepër ishte penduar.

    Me 2 nëntor të 2018-tës, Gjykata Themelore në Gjakovë shpalli fajtor Pjetër Ndrecaj për vrasjen e dyfishtë, duke e dënuar me 23 vite për vrasje dhe 2 vite për armëmbajtje pa leje, ku i llogaritej edhe koha që e kishte kaluar në paraburgim.

    Dënimi për aktin makabër u komentua shumë, e për të njëjtin rast u organizuan disa herë protesta që bënin thirrje për ndryshim të masës në burgim të përjetshëm, duke llogaritur vrasjen si një nga më të rëndat që ka ndodhur viteve të fundit.

    Gjykata e Apelit ndërkaq në mars të këtij viti hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovës, derisa i njëjti u dënua me burgim të përjetshëm.

    Pjetër Nrecaj për vrasjen e gruas dhe vajzës është dënuar me burg të përjetshëm, e ky është dënimi më i rëndë që parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Në kohën kur kishte ndodhur vrasja çifti ishin të ndarë e po jetonin në shtëpi të ndryshme, dy prej fëmijëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!