Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Emisarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trocaz, si dhe Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilët ka diskutuar rreth zhvillimeve të djeshme në Kuvend.
Abdixhiku ka thënë se me Trocaz dhe Guerot ka diskutuar për “bllokadën institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste”.
Ai ka thënë se LDK nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit, shkruan Reporteri.net.
“Ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund, ka thënë se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese dhe për rolin e rëndësishëm të saj në mbështetjen e integrimit evropian të vendit tonë.
Abdixhiku ka kritikuar PDK’në dhe AAK’në për votat që dhanë për zgjedhjen e Dimal Bashës së VV’së si Nënkryetar i Kuvendit.
Pavarësisht zgjedhjes së Bashës, konstituimi i Kuvendit mbeti në gjysmë. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.
Procesi është bllokuar te votimi për nënkryetarin serb. Sllavko Simiq është propozuar tri herë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – mirëpo nuk i ka marrë votat e nevojshme, 61 sosh.
Kryetari Basha ka konsideruar se emri i tij është shfrytëzuar, në përputhje me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të disa ditëve më parë se një person nuk mund të kandidohet më shumë se tre herë. Lista Serbe ka insistuar se vendimi vlen për pozitën e kryetarit dhe jo për nënkryetarët.
Basha, më pas, e ka nisur një proces të propozimit me short të kandidatëve për nënkryetarin serb, por asnjëri nuk i ka marrë 61 votat e domosdoshme.
Shorti i ra dy herë deputetes Verica Qeraniq, e cila në të dyja herat nuk mori asnjë votë për, 55 kundër dhe 21 abstenime.
As deputeti i radhës, Stefan Kovaçeviq, të cilit i ra shorti për t’u votuar nuk mori votat e nevojshme për nënkryetar, pasi që nuk mori asnjë votë për, 48 kundër dhe 19 abstenime.
Votat e nevojshme për nënkryetar nuk mori as deputeti Nenad Rashiq, emri i të cilit u zgjodh me short. Për deputetin Rashiq, 55 deputetë votuan për, 1 kundër dhe 17 abstenuan. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kritikuar partitë e mëdha shqiptare pse kanë votuar kundër./Reporteri.net