Ish Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në Deçan Komandantin e Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, në një takim të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka bërë të theksuar mirënjohjen e tij për kontributin e dhënë nga Admirali Wikoff dhe trupat e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

“Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga SHBA-ja dhe NATO-ja. Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit.” u shpreh Haradinaj

Reklamë

Gjatë këtij takimi, është riafirmuar rëndësia e partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet aleate të NATO-s, duke theksuar se orientimi euroatlantik i vendit mbetet i pandryshueshëm dhe se integrimi në NATO është çelësi për garantimin e paqes afatgjate në rajon.

Postimi i plotë: 

Në Deçan, nën përkujdesjen e kryetarit Bashkim Ramosaj, patëm kënaqësinë të mirëpresim Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.

Shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin personal të Admiral Wikoff dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe forcat e NATO-s japin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë.

Reklamë

Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e NATO-s. Lidhja jonë me ta mbetet e përhershme, ashtu si edhe aspirata jonë që të jemi pjesë e kësaj aleance.

Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit.