Organizata “Albanians for America” (AFA) ka reaguar pas seancës dëgjimore në Kongresin amerikan për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke e vlerësuar si të rëndësishëm vëmendjen e shtuar të Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit.
Në një deklaratë, AFA ka bërë të ditur se e ka ndjekur nga afër seancën dëgjimore, përfshirë përmes përfaqësuesve të saj që morën pjesë fizikisht në Uashington.
Organizata ka mirëpritur vëmendjen e shtuar të Kongresit ndaj Ballkanit Perëndimor dhe, veçanërisht, vlerësimin dypartiak se siguria dhe e ardhmja demokratike e rajonit mbeten të rëndësishme për SHBA-në.
Kryetari i nënkomisionit, Keith Self, e hapi seancën duke e cilësuar paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor si një çështje serioze të sigurisë kombëtare amerikane. Ai foli edhe për atë që kishte parë gjatë vizitës së tij në rajon në muajin maj.
Sipas AFA-së, veçanërisht të rëndësishme ishin komentet e Selfit për Serbinë. Ai tha se qeveria serbe vazhdon të mbajë një narrativë të viktimizimit të rrënjosur në të kaluarën, duke përmendur refuzimin e saj për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe nderimin e personave të dënuar për krime lufte.
Self ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin në rritje të Kinës dhe Rusisë në Serbi dhe implikimet që kjo mund të ketë për stabilitetin rajonal.
Theks i veçantë për shqiptarët në Preshevë
Në seancë u fol edhe për të drejtat e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.
Sipas AFA-së, Keith Self e përshkroi situatën në Luginën e Preshevës si një prej prioriteteve gjatë vizitës së tij në maj, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave të komuniteteve pakicë është thelbësore për stabilitetin e rajonit.
Sa i përket Kosovës, mesazhi i Selfit ishte po ashtu i qartë. Ai e përshkroi Kosovën si një “partner të pavarur, demokratik dhe strategjik të Shteteve të Bashkuara” dhe u bëri thirrje vendeve të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën ta bëjnë këtë.
Self tha se integrimi i Kosovës në NATO është thelbësor për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksoi rëndësinë e menjëhershme të vazhdimit të pranisë amerikane në kuadër të KFOR-it.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, sipas AFA-së, rikonfirmoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.
Sipas deklaratës, Uashingtoni po vazhdon diskutimet me aleatët e NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
SHBA-ja e shqetësuar për armatimin kinez të Serbisë
Gjatë seancës janë ngritur shqetësime edhe për orientimin strategjik të Serbisë.
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, konfirmoi shqetësimin amerikan lidhur me blerjen nga Serbia të sistemeve kineze të mbrojtjes.
Lawton theksoi se Serbia është i vetmi shtet evropian që ka blerë sisteme të mbrojtjes ajrore nga Kina, duke paralajmëruar se kjo mund ta komplikojë thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes SHBA-së dhe Serbisë.
AFA ka vlerësuar se mesazhi më i gjerë i dëgjimit të sotëm është se angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-së në rajon ka rëndësi.
“Vëmendja ndaj Kosovës, të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe arkitekturës së ardhshme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor po rritet në Uashington”, thuhet në deklaratën e AFA-së.
Organizata ka falënderuar kryetarin Keith Self, anëtarin e rangut më të lartë Keating dhe anëtarët e nënkomisionit për vëmendjen e vazhdueshme ndaj rajonit.
AFA ka thënë se do të vazhdojë angazhimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve përtej linjave partiake në SHBA, me synimin që zëri i komunitetit shqiptaro-amerikan të dëgjohet në diskutimet për politikën amerikane ndaj rajonit.