Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për kultivim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për vepra të tjera penale.

Sipas aktakuzës, E.M., E.E., E.I., K.Q., Sh.Xh., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H., duke vepruar si anëtarë të një grupi, gjatë vitit 2024 në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë të Komunës së Pejës, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me qëllim të prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Në dy parcela, sipas Prokurorisë, janë kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa, prej të cilave është siguruar narkotik i llojit kanabis sativa me peshë të përgjithshme mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë.

Reklamë

Kjo sasi narkotike është sekuestruar nga Policia e Kosovës më 27 shtator 2024, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit.

“Sipas aktakuzës, njërit prej të pandehurve i ishte premtuar shuma prej 15,000 eurosh për angazhimin në kultivimin e narkotikëve, ndërsa gjatë hetimeve, ndaj njërit prej të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1,540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim të futjes në qarkullim”, thuhet në njoftim.

Nga veprimet hetimore, sipas Prokurorisë, rezulton se të pandehurit dyshohet se kanë ndërmarrë veprime për mbjelljen, kultivimin, tërheqjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për sigurimin e vendeve dhe mjeteve të nevojshme për transportin e tyre.

Gjatë kontrollit të zhvilluar më 27 shtator 2024, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar 2,850 bimë kanabis sativa dhe mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë narkotikë.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, njëri nga të pandehurit akuzohet edhe për “Falsifikim të parasë”, ndërsa një tjetër për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Reklamë

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit tek ky i fundit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47, së bashku me municion.

Prokuroria Themelore në Pejë ka thënë se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët dhe në ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj personave që dyshohen për përfshirje në veprimtari të tilla.