×
  • Lajme
  • Lajme

    Al-Marayati: Amerika nuk është në luftë me Islamin, e Erdogani s’është shpëtimtari i muslimanëve

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 23:55

    Salam Al-Marayati, bashkëthemelues i Këshillit Mysliman për Çështje Publike, me seli në Los Angeles, ka folur për rolin e Islamit në shoqëritë perëndimore.


    Ai ka thënë se në SHBA ka aq shumë çështje që duket sikur Amerika është në luftë me Islamin, derisa ka shprehur bindjen se në realitet është e kundërta.

    Ka marrë për këtë edhe rastin e intervenimit në Kosovë, 20 vjet më parë.

    “Në rastin e Kosovës, Amerika ka ndërhyrë dhe i ka ndihmuar myslimanët, dhe kisha dashur që këtë narrativ ta shoh si mbizotërues, e jo atë që tani po promovohet se Islami dhe Amerika janë në mosmarrëveshje mes njëri tjetrit”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

    I pyetur se si do të duhej të ishin raportet në mes institucioneve religjioze dhe atyre shtetërore në një shtet sekular, ai ka thënë se “modeli amerikan ku qeveria është neutrale sa i përket religjionit është modeli më i mirë i sekularizimit”.

    “Me fjalë të tjera nuk është aty që të luajë rolin e policit ndaj religjionit, nuk është aty që të pengojë religjionin dhe përfundimisht nuk është aty të promovojë religjionin. Është aty që t’u lejojë njerëzve të shprehin idetë e tyre lirshëm dhe që njerëzit vetë të vendosin se si do ta shprehin religjionin e tyre në atë që ata besojnë, për secilin religjion, dhe besoj që ky është një standard i Islamit, sepse Islami na thotë ‘le të mos ketë detyrime në çështje të besimit’”, ka thënë ai. “Islami nuk thotë se ne duhet të kemi shtet fetar, Islami thotë se nëse e keni pushtetin, atëherë duhet të udhëhiqni me të drejtë, duhet të qeverisni me paanësi, të mbroni dinjitetin njerëzor të secilës qenie njerëzore”, ka deklaruar ai në KTV, përcjell koha.net.

    Standard të dyfishtë i ka quajtur rastet kur “një mysliman bën diçka të keqe goditet, burgoset dhe ata janë fajtorë derisa nuk provohet pafajësia e tyre, kurse të gjithë të tjerët janë të pafajshëm derisa nuk provohet fajësia e tyre”.

    Në këtë bisedë, ai ka folur edhe për atë se si mendon se duhet të trajtohen të kthyerit nga Siria në Kosovë.

    Ka treguar se sa është e vështirë të jesh mysliman në Amerikën e Trumpit, derisa ka kundërshtuar politikën amerikane për konfliktin izraeliti-palestinez.

    Është përgjigjur edhe për atë se a është Erdogani shpëtimtari i myslimanëve.

    “Duhet ta ndalojmë atë, ta ndalojë të thotë atë dhe t’i themi jo. Ne zgjidhjet tona do t’i gjejmë në Kosovë , do t’i gjemë zgjidhjet tona në Amerikë, do t’i gjejmë zgjidhjet kudo në botë, ti nuk je shpëtimtari ynë, mund të kujdesesh për interesin e vendit tënd , mund të kujdesesh për partinë tuaj politike dhe aty ndalu, mos u merr me çështje globale, ku secili person shumë lehtë mund të pretendojë se është shpëtimtari i të gjithë myslimanëve. Nuk ekziston diçka e tillë”, ka deklaruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!