×
  • Lajme
  • Lajme / Detaje

    Denoncimi i Drejtorit të AAC-së për sulme e shantazhe ndaj tij, burimet e Gazetës Reporteri: Qeveria dhe “monopoli i kerozinës” po duan shkarkimin e tij

    Reporteri
    02 Gusht 2023 | 18:51

    Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi, ka deklaruar sot se po përballet me sulme, presion e shantazhe, prej që ka lajmëruar keqpërdorimet që pretendon se po bëheshin në AAC.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda ACC’së tregojnë se Ejupit prej kohësh Qeveria e Kosovës është duke ia bllokuar proceset brenda Autoritetit të Aviacionit Civil. I njëjti po përballet me kërcënimet për shkarkim nga detyra.

    Krejt kjo siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net ka të bëjë edhe me “monopolin e kerozinës” për avionë, që prej vitesh ndikon në “vjeljen” përmes biletave të shtrenjta te udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës.

    Gazeta Online Reporteri.net në gusht të vitit 2021 kishte dëshmuar përmes një hulumtimi se si Monopoli i kerozinës po i siguronte miliona euro në vit Aeroportit dhe kompanisë “Ex-Fis”, duke i zhvatur kështu edhe xhepat e udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës.

    Monopoli i kerozinës: Miliona për LIMAK dhe “Ex-Fis”, zhvatje për xhepat e udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës

    Hulumtimi kishte gjetur se mbi 10 milionë Euro rezultonte t’i ketë pasur fitim bruto vetëm gjatë viteve 2018 dhe 2019 kompania e derivateve “Ex Fis”, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport.

    “Monopolin e kerozinës” e ka përmendur edhe vetë Ejupi, në postimin që ka bërë në Facebook.

    Ai ka thënë se AAC e kishte raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik.

    “Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport”, ka shkruar Ejupi.

    Po ashtu, burime e Gazetës Online Reporteri.net tregojnë që Ejupi ishte përballur vazhdimisht me pengesa në punën e tij gjatë angazhimit të ACC-së për hapjen e korridorit ajrorë me Shqipërinë e Malin e Zi.

    Edhe këtë rast, Ejupi e ka përmendur në postimin e tij.

    “AAC së bashku me ASHNA kanë arritur të hapin linja ajrore me Shqipërinë, dhe të kapërcejnë të gjitha pengesat për hapjen e hapësirës ajrore me dy linja të reja që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë. Hapja e këtyre linjave pritet të publikohet në Eurocontrol, dhe rruga ajrore me Evropën përfundimisht do të shkurtohet me rreth 30 minuta në çdo fluturim”, ka shkruar ai.

    Drejtori i Aviacionit Civil: Po përballem me sulme e shantazhe të përditshme, jam shënjestër e grupeve të caktuara

    Ejupi ka përmendur edhe keqpërdorime të tjera që thotë t’i ketë raportuar.

    “AAC ka anuluar kontratën e qirasë së AAC-së dhe ka kaluar në objekt shtetëror, duke kursyer buxhetin shtetëror në vlerë të mbi 40 mijë euro në vjet. AAC ka raportuar në prokurori rastet e keqpërdorimit të dhjetëra mijëra euro, pagesa që sipas kontratës i takonin qiradhënësit dhe që janë paguar nga AAC”, thuhet në postimin e tij.

    Ai ka treguar se është kërkuar hetim për mbi 110 incidente të raportuara të prishjes së Radarit, dhe mbi 43 humbje të energjisë në pajisjet jetike të navigacionit ajror, si dhe që inspektorëve të AAC-së u është kërkuar të ndalin zhvillimin e aktiviteteve për operatorët që ata mbikëqyrin, për të shmangur konfliktin e interesit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!