×
  • Lajme
  • Lajme

    Albulena Haxhiu: Vetting-u do ta rrisë besimin në sistemin e drejtësisë

    Reporteri
    22 Dhjetor 2021 | 19:30

    Vetting-u është një proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se vetting-u do të bëhet me ndryshime kushtetuese.

    “Qeveria e Kosovës në muajin nëntor ka miratuar koncept dokumentin për vettingun në Sistemin e Drejtësisë, ashtu që kjo i ka hap rrugë edhe fillimit të punës. Rekomandimi i votuar nga Qeveria është ai me ndryshime kushtetuese, dhe Ministria e Drejtësisë ka themeluar grupin punues për hartimin e normave kushtetuese për amendamentin e Kushtetutës”, tha Haxhiu për Reporteri.net.

    Ministrja Haxhiu: Rekomandimi i votuar nga Qeveria për Vetting-un, është ai me ndryshime kushtetuese

    Njëkohësisht, shtoi ministrja Haxhiu, është duke u punuar edhe në përgatitjen e pakos ligjore që mbështet dhe vë në funksion ndryshimet kushtetuese apo mekanizmin e ventting-ut.

    “Vettingu do të jetë mundësi shumë e mirë për Sistemin e Drejtësisë në Kosovë që të rrisë besimin e publikut në sistem por edhe të ngrisë nivelin e integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit”, shtoi tutje Haxhiu në intervistën e saj të parë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.

    Më 13 tetor, Qeveria e Kosovës e ka miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

    Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, së fundmi ka kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës që të bëjë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke vlerësuar se një gjë e tillë është “burim serioz i shqetësimit”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!